Personat “non grata”/ Kraja: SPAK do hetojë çdo materiali që të vijë nga SHBA


Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Arben Kraja raportoi në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2020.
Duke iu përgjigjur deputetit Ralf Gjoni se çfarë do të ndodhë me personat e shpallur “non grata” nga SHBA, nëse do të nisë hetimi ndaj tyre, Kraja deklaroi se “çfarëdolloj informacioni apo materiali që të vijë në SPAK nga Shtetet e Bashkuara, do të hetohet dhe do t’i shkohet deri në fund”.
“Prokuroria e Posaçme duhet të ketë parasysh se ndëshkueshmëria dhe respektimi i të drejtave të njeriut shkojnë paralel. Ne kemi filluar aktivitetin dhe kemi raportuar janë të dhëna konkrete, shifra konkrete, pra diskutojmë janë dënuar persona, janë ngritur akuza për grupe të strukturuara kriminale. Për herë të parë është bërë akuzë për pastrim produktesh, është arritur dhe konfiskim të pasurive në kuadër të veprës penale për pastrim produktesh”, vijoi raportimin Kraja.
Në prioritetet që ka shoqëria, sipas tij, “jemi fokusuar t’i trajtojmë me përparësi”.
“Bashkëpunojmë me të gjitha strukturat, me Policinë, me strukturat e kontrollit të brendshëm, por edhe me faktorin ndërkombëtar. Dhe duhet të kemi parasysh se koncepti i bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar është në disa aspekte. Është për vendosjen e shkëmbimit të informacionit, por dhe në marrëdhënie reciproke, marrje e ndihmës dhe këshilla për ngritjen e strukturës. Rezultate ka pasur. Pritshmëritë e njerëzve janë nga më të mëdhatë, ne ndeshemi aty edhe me gjëra që nuk kanë lidhje fare me punën tonë. Por ne jemi të vendosur që çdo rast që do të evidentohet, do ta hetojmë deri në fund, pa asnjë tërheqje, duke mbledhur provat e nevojshme dhe duke shkuar në përfundim”, tha Kraja.
Në lidhje me listën e shpallur nga SHBA, Kraja tha se lista është një proces që ndodh në SHBA. “Ne jemi në Shqipëri dhe kemi parashikimet tona për një procedim penal e si shkohet deri te gjykata. Ajo që unë garantoj është se çfarëdo indicie, apo material që do vijë, apo të kemi ne në dispozicion në raport me çdo shtetas shqiptar, për kompetencat që ne kemi në juridiksionin tonë, padiskutim që jemi të vendosur për ta çuar ndjekjen penale deri në fund, qoftë penalisht, qoftë nga pikëpamja e hetimit financiar, qoftë dhe nga pikëpamja e bllokimit të pasurive të paligjshme. Çfarëdo që do të vijë, përfshirë dhe nga partnerët ndërkombëtarë, patjetër”, theksoi ai.
Eunews.al
