Përshkallëzohet konflikti SHBA-Iran, 4 të vrarë dhe mbi 50 të plagosur pas një sulmi në jug të vendit

02 Sep 2026 09:08
Shpërndaje:

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, ndërsa Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane raportoi se katër persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 50 të tjerë janë plagosur gjatë një ceremonie martese në jug të Iranit, pas një sulmi amerikan.

Sipas organizatës iraniane, incidenti ndodhi në qytetin Kuhestak, në rrethin Shirik të provincës Hormuzgan, pasi mbetjet e një rakete goditën një banesë ku po zhvillohej ceremonia.

“Pas një sulmi me raketa amerikane, mbetjet e raketave goditën një shtëpi në qytetin e Kuhestak-ut, në rrethin Shirik të provincës Hormuzgan, ku po zhvillohej një ceremoni martese”, deklaroi Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane.

Reklamë Ola

Autoritetet iraniane kanë publikuar gjithashtu në rrjetet sociale pamje që pretendohet se tregojnë dëme të konsiderueshme dhe pjesë raketash në vendin e goditjes.

Pas sulmit, Teherani u përgjigj duke nisur raketa dhe dronë kundër interesave amerikane në disa vende të Lindjes së Mesme, duke zgjeruar më tej përplasjen mes dy vendeve.

Reklamë InterMedika

Në kuadër të këtyre sulmeve, 13 raketa balistike iraniane hynë në hapësirën ajrore të Jordanisë, ndërsa vendet e rajonit kanë aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore për t’iu përgjigjur kërcënimeve.

Rikthimi i sulmeve mes SHBA-së dhe Iranit po ushtron presion edhe mbi tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimi i gazit natyror europian është rritur në nivelin më të lartë të tre viteve të fundit, ndërsa shqetësimet shtohen për ndikimin që një përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit mund të ketë mbi furnizimet energjetike.

Ngjarja në Hormuzgan dhe kundërpërgjigjja iraniane shënojnë një tjetër përshkallëzim të konfliktit, ndërsa sulmet po prekin një zonë gjithnjë e më të gjerë të Lindjes së Mesme.