×
Monday, July 13, 2020

Përse Ilir Meta po e lë vetëm Bashën në debatin për listat?

July 13, 2020

Nga Mero Baze

Në kulmin e debatit politik për zgjerimin e ndryshimeve në reformën zgjedhore, duke përfshirë brenda dhe hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve, presidenti i vendit ka preferuar të heshtë. Ndërsa Edi Rama po përpiqet sa mundet të ekspozojë Lulzim Bashën si kundërshtar të listave të hapura dhe njeri që do të sundojë PD-në përmes pushtetit mbi listën, Ilir Meta, por dhe LSI, e kanë shmangur këtë debat.

Natyrisht që ata janë për listat e mbyllura. Po ashtu nuk kanë ndërmend të braktisin Bashën në këtë betejë, sido që të përfundojë ky debat.

Por përpjekja për të mos u bërë pis me debatin kundër hapjes së listave, duket se është një taktikë politike. Por mbi të gjitha, ai nuk është një problem i Ilir Metës.

Listat e mbyllura realisht janë një mekanizëm që u shërbejnë vetëm dy kryetarëve të partive të mëdha, për të disiplinuar përzgjedhjet e tyre në parti.

Në vitin 2008, ajo ka qenë shumë e nevojshme për Edi Ramën, ndaj dhe në marrëveshjen me Berishën për sistemin, ai ra dakord për sistemin propocional rajonal me lista të mbyllura. Kjo i jepte atij sigurinë për të vendosur autoritetin në Partinë Socialiste, të cilën e kishte fituar vetë, por që ende e kishte të pabindur.

Tani Edi Rama nuk e ka më këtë problem. Sido që ta bësh sistemin, me lista të hapura apo të mbyllura, ai e ka nën kontroll partinë.

E njëjta gjë është dhe me Ilir Metën. Edhe pse ai pati hyrë në grevë urie kundër këtij sistemi, pasi kaloi dy mandate, ai u kthey në mbrojtësin më të madh të këtij sistemi, pasi e përsosi mekanizmin se si ta kontrollojë atë.

Lulzim Basha është i vetmi që ka nevojë për listat e mbyllura, pasi ai ende nuk e ka të sigurtë listen, nëse ajo hapet.

Ndaj e gjithë beteja politike e Edi Ramës, synon të ekspozojë Lulzim Bashën si një lider të dobët, që ka frikë partinë e tij.

Fakti që Ilir Meta nuk flet dhe nuk po i del në krah Bashës, nuk nënkupton që ai do ta braktisë atë në fund. Eshtë e sigurtë se Meta do të bëjë koalicion me Bashën, është e sigurtë se do jenë bashkë në zgjedhje, me apo pa lista të hapura.

Por atij i intereson që Basha të shkojë me sa më shumë të pakënaqur drejt zgjedhjeve, me shpresë se diga e tij do të mbledhë të pakënaqurit nga Basha.

Ndaj duket se tani ka preferuar të heshtë dhe të sodisë duke pirë raki me veteranët e Mallkastrës, se si mbrohet Basha nga partia e tij, përmes kërkesës për të mos hapur listat.

Në fund padyshim që do mbrojë listat e mbyllura, në emër të mos prekjes së marrëveshjes, por deri atëhere Lulzim Basha do jetë drobitur nga beteja për të fituar tenderin e listës.

Dhe natyrisht do ta ketë më të vështirë të bëjë betejë dhe me Ilir Metën, për pjesën që i takon në koalicion.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për