×
Friday, October 11, 2024

Përse Berisha nuk ‘kishte fuqi’ t’i merrte paratë ruse kundër TAP

March 18, 2022


Nga Mero Baze

Sali Berisha po përpiqet të dal nga telashet nga ku ka futur veten, me gënjeshtrat e tij “patriotike”, duke na dëshmuar jo vetëm mënyrën primitive se si funksiononte shteti I tij dhe pazaret e tij, por dhe pengjet që ka pasur para ofertave të cilat realisht nuk ka pasur fuqi ti pranojë.

Një ditë më parë ai deklaroi në Kuvend se “vetëm për TAP Sali Berishës i janë ofruar shuma përrallore”. Deklarata është e qart që është në kontekstin personal, pasi ai shpreh “rezistencën” e tij personale kundër përpjekjes për korruptim.

Pas reagimit të ambasadës dhe ruse dhe pyetjes retorike të tyre “sa pare kërkoi Sali Berisha që as Gazpromi nuk mundi ti mbledh dot ato shuma përrallore”, Sali Berisha rreshton një ofertë informale të Gazpromit, për investime në Shqipëri në shkëmbim të heqjes dorë nga TAP. Kjo nëse është e vërtet, nuk është ofertë për të korruptuar Sali Berishën, por ofertë për ta rekrutuar. Dhe kjo është çështje e sigurisë kombëtare dhe jo e SPAK. Ai për këtë duhet të mblidhte Këshillin e Sigurimit, (siç bën Meta kur i del ndonjë muhabet i tillë) dhe jo ta mbante sekret për vete. Sekrete mban vetëm mafia dhe jo një kryetar shteti. Kjo e komplikon më shumë të vërtetën mbi korruptimin e tij.

Së pari në shtetin shqiptar në Ministrinë e Energjetikës dhe në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë nuk ekziston asnjë ofertë e tillë nga Gazpromi , e shqyrtuar apo e hedhur poshtë nga zyrat e shtetit shqiptar. Pra nuk ka lënë gjurmë zyrtare një ofertë e tillë. Kjo është një provë që oferta nuk ka ekzistuar në rrugë shtetërore, por nëse ka ekzistuar ajo ka qenë private dhe korruptive për personin ose familjen e tij. Të paktën ta kishe protokolluar si ofertë shteterore që tia tregonte tani SHBA e cila e ka futur në listë të zezë për korrupsion madhor, përpara se ata të “protokollonin”, të kundërtën që mund të ketë ndodhur.

Së dyti deklarata zbulon shtetin privat të Sali Berishës gjatë pushtetit të tij. Sali Berisha thotë se oferta I ka ardhur nga një biznesmen turk mik I tij të cilën nuk e thotë me emër, gjë që e bën dhe më të pabesueshëm. Por dhe sikur ta marrim të mirëqenë, është edhe më keq, pasi tregon se si funksionon shteti I Sali Berishës. Vjen një biznesmen anonimë, bën një ofertë për miliarda euro investime, dhe ky vendos ti pranoje ose mos ti pranojë. Në rastin konkret nëse oferta do të ishte zyrtare, ajo duhet të shqyrtohej në qeveri dhe të hidhej poshtë për arsye gjeopolitike, duke ua bërë të ditur këtë dhe partnerëve perëndimorë të interesuar për strategjinë e pavarësisë energjitike nga Rusia. Këtë histori nuk ja ka treguar askujt deri më dje. Paska ardhur një sekser turk, I ka bërë një pazar dhe ky nuk e ka pranuar. Nuk ua ka treguar këtë as shqiptarëve, as partnerëve perëndimor të interesuar për këtë çështje. Atëherë është e qartë që është pazar dhe vendim personal.

Së treti projekti I TAP nuk është projekt I Sali Berishës por një projekt ndërkombëtar ku Shqipëria është segmenti më i shkurtër i saj. Sali Berisha ka pasur në dorë vetëm ta refuzonte TAP por për këtë mund të mos qëndronte në karrige as 24 orë. Madje dhe kështu si e ka nënshkruar, Shqipëria është vendi që fiton më pak se kushdo tjetër nga TAP pasi ende nuk merr dot asnjë litër gaz. I vetmi fitim që kemi deri tani është se jemi brenda një korridori energjetik të sigurt I mbështetur nga Perëndimi, dhe që kemi pasur disa kantiere ndërtimi kur ai po vendoste tubat nëpër Shqipëri. Këtu ish kryeministri ka pasur në dorë ta bënte projektin më atraktivë për Shqipërinë, por në fakt nga gjurmët që ka lënë ai, të vetmet negociata që ka bërë “me një çantë të zezë tek këmbët” në takime kok më kokë , kanë të bëjnë vetëm me faktin se kush biznesmenë do merrte tenderin në Shqipëri si nënkontraktorë.

Kjo e bën dhe pak qesharakë përpjekjen e tij për ta paraqitur TAP si vepër të tij. TAP është ndërtuar pasi ai iku nga pushteti, dhe ai vetëm sa ka nënshkruar kontratën e tenderëve për klientët e tij. TAP është projekt ndërkombëtar me prioriritet gjeopolitik, dhe Sali Berisha nuk ka pasur fuqi as të ishte armik i tij, dhe natyrisht as ndonjë kontributor I tij, përveç ndonjë ryshfeti që ka marrë duke bërë pazare për punët që do bëheshin .

Natyrisht këto pazare kanë qenë shumë më të vogla para asaj që mund të kenë ofruar rusët, por ai në fakt jo se nuk I ka dashur, por nuk kishte fuqi tua merrte, se pastaj do jepte llogari për misionin që duhet të kryente. Pra, pasi ti merrte duhet të sabotonte TAP në Shqipëri. Dhe aty nuk do kishte kohë as ti numëronte paret se ja numëronin në ballë.




Comments are closed.