“Përpjekje për finalizimin e një marrëveshje me një shtet mik për 360 mijë vaksina nga “AstraZeneca”




Kryeministri Edi Rama në pritje të mbërritjes së 8190 dozave të vaksinave antikovid nga kontrata me kompaninë “Pfizer” deklaroi nga aeroporti “Nënë Tereza” se, “po vazhdojmë përpjekjet për nënshkrimin e një marrëveshjeje me një shtet mik për 360 mijë vaksina ‘AstraZeneca’”.
“Shumë shpejt ne do të jemi në gjendje të japim lajmin e garantimit të një sasie konsiderueshme vaksinash. Po punojmë në disa fronte, me një shtet mik jemi shumë afër, me shumë gjasë në ditët në vijim, se kur nuk e kemi të konfirmuar por letë themi që në 10- 15 ditët në vijim unë do të bëj një vizitë atje dhe me shumë gjasë ne do të marrim konfirmim përfundimtarë për sasinë e 360 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca e konfirmuar në nivelin ministrorë”- tha Rama.
Rama tha se, “sot ne marrim një tjetër sasi të vaksinës ‘Pfizer’, dhe siç e kemi thënë, brenda muajit mars do të bëhet lëvrimi i të gjithë sasisë pre 41 mijë dhe disa qindra doza, ndërkohë që vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një shtet mik prej 360 mijë dozash të vaksinës ‘AstraZeneca’, dhe po ashtu jemi në komunikim intensiv edhe me dy shtete të tjera me synimin të shtojmë sasinë e vaksinave, në mënyrë që të mos kemi asnjë moment ndalim apo rënie të tempit, përkundrazi të rrisim tempin progresivisht me objektivin e shpallur që të vaksinojmë të gjithë popullatën brenda 14 muajve”.
Rama shtoi se, “objektivi është shumë ambicioz në kushtet në të cilat ndodheshim, për faktin se, siç ju e shihni, çdo ditë lufta për siguruar doza vaksinash është shumë e fortë nga të katër anët dhe sasitë në raport me kërkesat mbeten shumë të vogla. Sidoqoftë ne nuk hyjmë tek ata që dorëzohen, përkundrazi dhe unë kam besim se më shpejt se vonë do të kemi lajmë të mira, por deri më tani situata është kjo, vazhdojmë vaksinimin me ‘Pfizer’, vazhdojmë vaksinimi, tanimë të shtrirë në të gjithë territorin të bluzave të bardha. Jemi në përfundim të vaksinimit të të moshuarve në Shtëpitë e të Moshuarve dhe personelit të tyre dhe kemi filluar edhe me vaksinimin e kategorisë plus 80 vjeç”.
“Mos harroni që sot që flasim 70 % e prodhimit të vaksinave janë në duart e 10 shteteve, të gjitha shtete e tjera që kanë patur akses në dozat e mundshme kanë marrë pjesë ose kanë ndarë mes tyre 30 % të volumit të përgjithshëm, ndërkohë që sot mbetet e pandryshuar shifra e 140 shteteve, përfshirë dhe vendet e rajonit, që nuk kanë asnjë dozë në dispozicion. E them këtë për ta futur në kontekst gjithë këtë përpjekje, sepse dozat që ne kemi marrë dhe po marrim kanë një rëndësi jetike për të gjithë personelin shëndetësor, për ata të cilët janë vaksinuar”, tha ai.
“Nuk ka dyshim se raporti mes këtyre sasive dhe sasisë që ne kemi domosdoshmërinë të vaksinojmë, të njerëzve që do duhen të vaksinohen, që nuk është me detyrim, mbetet një raport shumë i zhdrejtë, jemi të vetëdijshëm për këtë dhe kjo është arsyeja e pagjumësisë së gjithë kësaj periudhe në sensin e përpjekjes së vazhdueshme për të mos e ulur ritmin, përkundrazi për ta rritur progresivisht”, u shpreh Rama.
“Tjetra që dua të them është se nga të gjitha të dhënat e përgjithshme të autoritetit të shëndetësisë nuk kemi pasur asnjë rast të asnjë lloj shqetësimi për personat e vaksinuar, dhe nga eksperienca ime personale antitrupat zhvillohen në mënyrë shumë mbresëlënëse si rezultat i vaksinimit”, përfundoi Rama.
Eunews.al
