Përmbytet Serbia, autoritetet shpallin gjendjen e jashtëzakonshme



Autoritetet në Serbi kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kjo pasi vendi është përfshirë nga përmbytjet. Mediat vendase kanë bërë me dije se rajone të mëdha të Serbisë, veçanërisht në perëndim të vendit, janë prekur nga përmbytjet si pasojë e shirave të vazhdueshme të orëve të fundit dhe daljes nga shtrati të lumenjve dhe përrenjve.
Ndër vendet më të prekura nga përmbytjet janë Zvorniku, Guca, Ljubovija, Loznica, Krupnja, Osecina, Lucani, Kraljevo sakaqë qindra njerëz janë izoluar në fshatra dhe ekipe shpëtimi po marrin pjesë në operacione evakuimi.

Niveli i ujërave ka shkaktuar probleme në transporte, me ndërprerje të shumta të rrugëve dhe linjave hekurudhore. Në rajonin e Ljubovijas tri ura janë shembur si pasojë e presionit të ujit.
Situata është gjithashtu kritike edhe Bosnje-Hercegovinë, e cila gjithashtu është prekur nga moti i keq dhe reshjet e bollshme.
Mësohet gjithashtu se një rrëshqitje e madhe toke ndërpreu rrugën që lidh qytetin e Tuzlas me Sarajevën këtë mëngjes.
Eunews.al

