×
Thursday, September 10, 2020

Përkujtohet 111 vjetori i mbajtjes së Kongresit të Elbasanit, Balla: Elbasani, kryeqyteti i arsimit shqiptar

September 10, 2020

Në një ceremoni solemne Elbasani përkujtoi një ngjarje të rëndësishmë të historisë kombëtare, siç është Kongresi i Elbasanit i mbajtur 111 vite më parë.

Ky kongres hodhi bazat e arsimit shqip dhe ishte dallëndyshja e parë në çeljen e shkollave shqipe në mbarë trojet shqiptare.

Në ceremoninë e organizuar morën pjesë Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, historianë, mësues, veteranë dhe dashamirës të arsimit shqip.

Në fjalën e tij Balla tha se
Elbasani është kryeqyteti i arsimit në Shqipëri.

“Ndihem i nderuar të mbaj një fjalë përshëndetëse në një ceremoni solemne që lartëson vlerat e kryeqytetit të arsimit në Shqipëri, sikurse është Elbasani.

Nuk është rastësi dhe as risi që sa herë përmendet emri i Elbasanit, përmendet edhe togfjalëshi, djepi i arsimit.

Ky togfjalësh rrjedh nga një traditë e gjatë dhe shumë cilësore në arsim që një qytet si Elbasani ka pasur të lehtë ta krijojë me kolosë të mëdhenj si Kostandin Kristoforidhi apo Alensandër Xhuvani me mësues të tjerë të shquar, me patriot e atdhetarë që rrugën e arsimit shqip e kanë shtruar me sakrifica, mundim, por edhe me besë shqiptari.

Çdo qytet shqiptar, për arsimin shqip, i detyrohet Kongresit të Elbasanit. Kjo ngjarje është një vulë në histori që sot mbush plot 111 vite”, tha Balla në fjalën e tij.

Më tej gjatë fjalës së tij Balla tha se këtë vit shkollat do të nisin me sfidën e madhe të ruajtjes së shëndetit të fëmijëve, mësuesve, por edhe familjeve të tyre.

Sipas tij, hapja e shkollave është domosdoshmëri dhe menaxhimi që bashkitë, në bashkëpunim me strukturat e tjera të kujdesit shëndetësor, po i bëjnë situatës, është për t’u vlerësuar.

Ceremonia u përshëndet nga Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, historianë dhe të pranishëm të tjerë të cilët vlerësuan kujtimin e këtyre datave madhore të historisë së arsimit shqip.

Kongresi i Elbasanit mbylli punimet në 9 shtator të vitit 1909 me këto vendime të rëndësishme:

Çelja e shkollave të reja shqipe.

Çelja e një shkolle normal që do të përgatiste mësues për të gjitha trevat shqipfolëse.

Hartimi i një program strukturor, buxhetor dhe organizativ të arsimit shqiptar.

U zgjodh dialekti elbasanas si modeli i shqipes së shkruar etj.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për