Përhapja e koronavirusit, Von der Leyen: Europa vuan me Italinë
Në këto ditë dramatike për Italinë, ku numri i të infektuarve nga Covod 19 vazhdon të rritet dhe tashmë, kryeministri Italian Conte ka shpallur izolimin total të vendit, vjen një mesazh solidariteti nga Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der leyen. Në një mesazh në twitter ajo shprehet se Komisioni Europian do të kanalizojë disa miliarda euro për sistemin shëndetësor italian.
Në postim Presidentja e Komisionit u kujdes të theksojë që Italia është në Europë dhe si e tillë ajo do të mbështetet nga institucionet e BE-së.
Lëvizja e Presidentes së Komisionit vjen vetëm pak ditë nga kritikat e ngritura nga Italia dhe ambasadori i saj pranë BE-së. Përfaqësuesi i përhershëm i Romës në Bruksel, Maurizio Massari, në një editorial për Politico është shprehur se ndonëse Italia “ ka kërkuar prej kohësh të aktivizojë Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për furnizimin e pajisjeve mjekësore për mbrojtje personale, për fat të keq, asnjë vend i vetëm i BE nuk i është përgjigjur apelit të Komisionit. Vetëm Kina është përgjigjur në mënyrë bilaterale. Sigurisht, kjo nuk është një shenjë e mirë për solidaritetit evropian“.
Kritika është e qartë në drejtim të Francës dhe Gjermanisë të cilat ndaluan eksportin e maskave dhe instrumentave mjekësore drejt Italisë. Një veprim i cili nuk u prit mirë nga Italia e cila po përjeton një gjendje aspak të lehtë vis a vis përhapjes së koronavirusit. Sidomos solidariteti i shprehur nga Pekini i cili vendosi të dërgojë 1.000 ventilatorë, 100 000 maska të teknologjisë së lartë dhe 20,000 kostume mbrojtëse, si dhe 50,000 tamponë për të kryer teste të reja, mendohet të ketë qenë arsyeja e një vendimi nga Von Der Leyen për t’i ardhur në ndihmë Italisë.
Në një deklaratë të përbashkët të Presidentes së Komisionit Europian dhe Kryeministrit të Italisë ndër të tjera thuhet se u dakordësuan në “krijimin e një ekipi të dedikuar të shkencëtarëve në nivelin e BE që do të ndihmojë në koordinimin e përpjekjeve dhe harmonizimin e ndërhyrjeve; duke bashkërenduar prodhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore dhe produkteve farmaceutike, si dhe duke kërkuar që çdo masë kufizuese nga Shtetet Anëtare të diskutohet së pari në nivelin Evropian, në mënyrë që furnizimet jetike të shkojnë atje ku ato nevojiten më shumë, tregu i brendshëm funksionon siç duhet dhe të shmanget çdo pengesë e pajustifikuar”
Eunews.al