Për kukuvajkat që vënë hallin e Bashës, para zgjedhjeve të vonuara në 6 bashki



Nga Ardit Rada
Më në fund Ilir Meta është kthyer në staturën e Presidentit për t’u marrë me çështjet e shtetit. Them më në fund, pasi të gjithë e kemi parasysh që pasi nuk preu dot asnjë dorë hajduti vote në 25 Prill, u zhduk duke bërë pesë palë pushime vere brenda 2021-shit dhe vetëm për t’u shfaqur javën e dytë të janarit për punën e 6 bashkive pa kryetarë.
Dhe sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, aludohet se Meta po e fut në një kurth Bashën që ky i fundit të shënojë humbjen e pestë a të gjashtë dhe me këtë rast të fitonte pikë Sali Berisha.
Tani, është e pashpjegueshme pse këto ‘kukuvajka’ të fatit të Lulzim Bashës janë po ato që mbështetsnin çdo dekret dhe çdekret të Ilir Metës për data zgjedhjesh më parë. Së dyti, si Lulzim Basha ashtu edhe Ilir Meta e kanë parathënë vlerësimin që kanë për njëri-tjetrin, në daç si djegës mandatesh pas shpine, në daç si tradhtarë kauzash.
Me ç’duket, Ilir Meta ka kuptuar se zgjedhjet nuk mbahen atëherë kur të jetë gati Lulzim Basha. E bëri njëherë këtë eskperiment dhe përfundoi nga Parlamenti, në Kushtetuese e në Venecia. Votimet e pjesshme duhen mbajtur sepse qytetarët e 6 bashkive meritojnë të kenë të zgjedhurit e tyre si çdo bashki tjetër.
Dhe këta qytetarë që s’i kanë asnjë borxh Bashës e Berishës, nuk kanë pse presin derisa PD të zgjidhë krizën e saj. Që me gjasë s’po tenton të zgjidhë krizën, por të luftojë për audiencën në internet dhe cilësinë e çelikut të dyerve përballë ‘kokës së dashit’.

