×
E shtunë, 16 Janar, 2021

“PD-së i ka mbetur vetëm sigla, Basha i tradhtoi disa herë demokratët”

7 Dhjetor, 2020

“Sa kohë të jetë Lulzim Basha lider i opozitës, Edi Rama do jetë në qeveri. Historia ka treguar se ka ndodhur dhe kam frikë se do të përsëritet”, deklaroi sot ish-nënkryetarja e PD-së dhe kryetarja e partisë “Lëvizjes për Ndryshim”, Jozefina Topalli, në një intervistë televizive.

Në lidhje me largimin dhe “armiqësinë” me PD, Topalli tha se realisht nuk e kishte menduar se do të krijonte një alternativë për skenën politike shqiptare që është e monopolizuar nga tre kryetarë partish.

“Nuk e kisha menduar kurrë se ajo që ishte PD do ruante vetëm siglën dhe germën PD dhe çdo gjë tjetër për shkak të lidershipit të soj do përmbysej dhe do kthehej në një forcë politike të mbyllur me një lidership që përçan çdo gjë dhe që ka humbur kartën morale duke qenë në opozitë”, tha Topalli.

E vendosur përballë hipotezës se duke i dalë kundër PD-së, Topalli po ndihmon Ramën, ajo tha se për të pasur një përgjigje duhet analizuar thellë situata.

“Kemi një vend që  ka 43% të varfër, një vend ku 60% e të varfërve nuk kanë mundësi për të siguruar një ushqim të mjaftueshëm dhe të sigurt, një vend ku borxhi ka shkuar 90% dhe është një minë me sahat, e ndoshta kemi zënë vendin e parë të të rinjve që largohen nga vendi. Proporcionalisht përgjegjësia më e madhe është e kryetarit të qeverisë, por në fakt, edhe i humbjes së misionit të opozitës gjatë kësaj periudhe për të ndaluar qeverisjen dhe për të bërë të mundur që ta zëvendësojnë atë me një qeveri që të menaxhojë situatën. Kjo sigurisht ngarkon me përgjegjësi opozitën dhe në këtë kuptim është e kundërta e asaj që përpiqen të thonë”, tha ajo.

Topalli bëri ndarje mes demokratëve që kanë mbetur në PD, shumë pak sipas saj, pasi mbi 250 mijë demokratë janë larguar në 2017 për shkak të mungesës së besimit, për shkak se Basha i theu në besë, i futi në çadër, u tha se nuk do ketë zgjedhje me Edi Ramën dhe pastaj doli në qeveri me Ramën, tradhtoi me koncesionarin e Rrugës së Kombit, ku protestuesit kërkonin të mos pagunin taksa shtesë, ndërkohë që pastaj familja mori një kat me koncesionarin.

Pastaj, sipas Topallit, Basha i tradhtoi me Teatrin, me “Astirin” me Reformën Zgjedhore, i tradhtoi me Reformën në Drejtësi. “Por mbi të gjitha ka tradhtuar vendin, sepse po të kishim një opozitë me një drejtim të pakorruptuar dhe të bënte misionin e opozitarit, ne nuk do ishim sot me kryeministër Ramën”, tha Topalli.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për