Pas Brexit, fillon ‘lufta’ tregtare midis BE dhe Mbretërisë së Bashkuar



Tanimë që Brexit është realitet, sfida e ardhshme e marrëdhënieve midis Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe është marrëveshja tregtare. Duket se Brukseli nuk heq dorë nga standardet europiane për të nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë me Londrën, por ky fakt ka hasur rezistencën e Johnson.
Mbretëria e Bashkuar kërkon marrëveshje tregtare me BE-në por duke shmangur rregullat mjedisore dhe ato shëndetësore. Reagimi i Kryeministrit Boris Johnson ka qenë i shpejtë në paralajmërimin e udhëheqësve të BE-së se ai nuk ishte i gatshëm të zbatonte rregullat evropiane në mënyrë që të garantojë qasje për mallrat dhe shërbimet britanike në tregun e vetëm europian. Për analistët ky reagim është i pamenduar mirë duke pasur parasysh që tregu i BE-së ka 450 milion qytetarë dhe për këtë arsye konsumatorë të mundshëm për mallrat dhe shërbimet britanike. Ky sqarim i Johnson erdhi pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të Premten e kaluar kujtoi se Mbretëria e Bashkuar “janë gjithsesi një vend i tretë” për të cilën “vlen parimi se vetëm ata që njohin rregullat e tregut të vetëm do të jenë në gjendje të bëjnë tregti në tregun e përbashkët “
Johnson shprehet se Britania e Madhe kërkon të ndjekë shembullin e Kanadasë e cila nuk kërkon përputhshmërinë me rregulloret e BE-së duke qenë një marrëveshje jo ambicioze në krahasim me modelin e Norvegjisë. Por edhe në mungesë të arritjes së një marrëveshje të tillë duket se numri një i qeverisë britanike e ka një plan B për të përjashtuar skenarin “pa marrëveshje “. Kryeministri britanik u shpreh se “Ne duam një marrëveshje të tregtisë së lirë të ngjashme me atë të Kanadasë , por në rast të pamundur për të mos patur sukses, atëherë marrëdhëniet tona tregtare do të duhet të bazohen në marrëveshjen aktuale të tërheqjes nga BE“. Një dalje e plotë e Mbretërisë së Bashkuar nga tregu i vetëm pa asnjë marrëveshje do të thotë që marrëdhëniet tregëtare duhet të disiplinohen sipas rregullave të diktuara nga Organizata Botërore e Tregtisë të cilat parashikojnë taksa dhe detyrime.
Deklarata e Johnson ka sjellë reagimin e kryenegociatorit të BE-së, Michel Barnier, i cili ka saktësuar se hyrja e Mbretërisë së Bashkuar në tregun e vetëm të BE-së do t’i nënshtrohet dy kushteve. “Para së gjithash – shpjegoi Barnier – duhet të sigurohemi që konkurenca të jetë e hapur dhe e drejtë”. “Ne kemi rënë dakord tashmë me kryeministrin Johnson që partneriteti ynë i ardhshëm do të duhet të shmangë avantazhet e padrejta konkurruese” u shpreh ndër të tjera Barnier. Me fjalë të tjera, marrëdhëniet e ardhshme midis dy palëve nuk mund të ndahen nga respektimi i rregullave të vendosura nga Bashkimi Evropian.
Eunews.al

