×
Saturday, February 4, 2023

Parlamenti Europian i kërkon Serbisë të harmonizohet me politikën e jashtme të Brukselit

January 19, 2023


Parlamenti Evropian kërkoi të mërkurën që negociatat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian të vazhdojnë pas harmonizimit të saj me politikën e jashtme të Brukselit.

Në tekstin e Rezolutës për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së që u miratua në seancën plenare të Parlamentit Evropian, deputetët shprehën keqardhjen për shkallën e ulët të përafrimit të Serbisë me politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë. Në rezolutë theksohet “rëndësia e përafrimit të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht politikën e saj të sanksioneve kundër vendeve të treta”.

Parlamenti Evropian ritheksoi se “kapitujt e mëtejshëm të negociatave duhet të hapen vetëm kur Serbia të forcojë angazhimin e saj për reforma në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe të demonstrojë përafrim të plotë me politikën e Jashtme”, ndërsa nënvizoi se Serbia, si një vend që aspiron integrimin evropian “duhet t’u përmbahet vlerave dhe të drejtave të përbashkëta të BE-së”.

Serbia një vend kandidat për anëtarësim në BE ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka theksuar në disa raste se nuk do ta bëj një gjë të tillë derisa Serbia nuk përballet me rrezik ekzistencial.

Parlamenti Evropian theksoi të mërkurën se Ballkani Perëndimor është i prekur fuqishëm nga pasojat negative të luftës në Ukrainë, e cila ndryshoi ndjeshëm kontekstin e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë.

Lufta në Ukrainë përbën një kërcënim për qëndrueshmërinë e shumë vendeve anëtare të BE-së, si dhe ato në fqinjësinë e bllokut, thuhet në rezolutë në të cilën theksohet se vendet e Ballkanit Perëndimor “kanë nevojë për zgjidhje paqësore të konflikteve, përmirësim të qëndrueshmërisë dhe sigurisë dhe rritje të bashkëpunimit të ndërsjellë”.

Në tekstin e rezolutës mirëpritet dhënia e statusit të vendit kandidat për Bosnje e Hercegovinës, ndërsa u bëhet thirrje përfaqësuesve të këtij vendi ballkanik të tregojnë përkushtim drejt zbatimit të reformave të nevojshme dhe përmbushjes së 14 prioriteteve thelbësore në rrugën drejt BE-së.

Rezoluta dënon retorikën dhe veprimet secesioniste në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë dhe propozon sanksione kundër politikanit serb Milorad Dodik dhe zyrtarëve të tjerë të rangut të lartë të Republikës Serbe dhe zyrtarëve të vendeve të treta “që ofrojnë mbështetje politike dhe materiale për politikat secesioniste”.

Në një amendament të veçantë rezoluta mirëpret kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe bën thirrje që 5 shtetet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë, ndërsa theksohet “nevoja urgjente që procesi i dialogut Prishtinë-Beograd i udhëhequr nga BE-ja të intensifikohet me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe mbi bazën e njohjes së ndërsjellë”.

Parlamenti Evropian përshëndeti gjithashtu fillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe u bëri thirrje “të gjitha palëve përkatëse të ndjekin hapat e nevojshëm për të mundësuar përparimin e shpejtë” të këtyre dy vendeve.



Comments are closed.