×
Friday, October 22, 2021

Pandemia në Ballkanin Perëndimor po ndëshkon më shumë të rinjtë

September 5, 2021
Nga Gianluca De Feo “Balcani Caucaso”

Emigrimi ka qenë për dekada me radhë një plagë e rëndë sociale për Ballkanin Perëndimor. Bashkë me nivelet gjithnjë e më të ulëta të lindjeve,ai është shkaku kryesor i shpopullimit të vendeve në këtë rajon. Prej gati 40 vitesh, bilanci neto midis imigrantëve dhe emigrantëve(pra midis atyre që largohen dhe atyre që hyjnë në një vend),ka qenë negativ në gati të gjitha vendet e Ballkanit.

Përjashtimi i vetëm është Serbia, e cila në 10 vitet e fundit ka regjistruar një bilanc modest pozitiv, falë imigrimit në këtë vend tw njerëzve nga vendet e tjera të Ballkanit. Në vitin 2016, rreth 3.4 milion qytetarë të Ballkanit jetonin në vendet e OECD, pra sa rreth një e pesta e të gjithë popullsisë së rajonit.

Të rinjtë, dhe veçanërisht ata me një nivel më të lartë arsimimi, janë segmenti demografik më i motivuar për ta kërkuar diku tjetër fatin e tyre, kryesisht për të shpëtuar nga mungesa e shanseve në vendin e tyre.

Kur pyeten se pse kanë ndërmend që të largohen nga vendi i tyre, shumica citojnë si arsye kryesore kushtet e vështira socio-ekonomike. Por me ardhjen e pandemisë së Covid-19 dhe krizës se re që ka shkaktuar ajo, kjo situatë tashmë e vështirë, rrezikon të përkeqësohet më tej, dhe të rinjtë, të ekspozuar ndaj pasigurisë më të madhe ekonomike sesa pjesa tjetër e popullsisë, janë ndër më të prekshmit.

Shkalla e papunësisë së të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor,ishte tashmë e lartë që para pandemisë, veçanërisht kur krahasohej me atë të vendeve të tjera evropiane.

Gjithsesi të dhënat e mbledhura nga Platforma për Punësimin dhe Çështjet Sociale të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, dhe të analizuara në një raport me titull “Studim mbi punësimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor”, tregoi se nga viti 2017 e këtej, po vërehej një tendencë pozitive, e cila u ndal për shkak të pandemisë.

Para vitit 2020, të gjitha vendet e rajonit po përjetonin një rënie të shkallës së papunësisë së të rinjve (por edhe asaj të përgjithshme), e cila në harkun kohor prej 3 vjetësh kishte çuar në një rënie mesatare me rreth 7 për qind.

Por shfaqja e Covid-19 dhe mbyllja e ekonomive e ndalën këtë proces, sidomos në vendet me papunësinë më të lartë të të rinjve, të cilat megjithatë po tregonin deri në ato momente një prirje edhe më pozitive se sa në vende të tjera.

Vendi më i prekur ishte padyshim Mali i Zi. Kriza e gjunjëzoi sektorin e turizmit, që gjeneron një të tretën e PBB-së kombëtare, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme të të papunëve në radhët e të rinjve, nga 24.3 në 36 për qind midis viteve 2019- 2020.

Në Shqipëri dhe Serbi, ku papunësia e të rinjve është pak më poshtë mesatares së rajonit, kriza aktuale nuk duket se ka ndikuar shumë në trendin pozitiv të viteve të fundit, edhe nëse e ka ngadalësuar pak atë. Duke analizuar vitin 2020, pothuajse në të gjitha vendet kriza shkaktoi një rritje të papunësisë së të rinjve deri në fund të vitit të shkuar.

Në Malin e Zi, papunësia e të rinjve arriti kulmin me 46.5 pet qind në tremujorin e katërt të vitit 2020, krahasuar me 35.8 për qind në tremujorin e mëparshëm. Tek të gjitha vendet e tjera pati një rritje të papunësisë prej 3-6 për qind gjatë së njëjtës periudhë, edhe pse në total shkalla e papunësisë mbeti nën 40 për qind.

Ndërkohë në Bashkimin Evropian, përqindja e të rinjve të papunë u ul deri në fund të vitit.

Masat që synonin zbutjen e krizës ekonomike, të ndërmarra nga qeveritë në fillim të pandemisë, duket se kanë funksionuar vetëm për një periudhë afatshkurtër.

Ndonëse disa vende patën një rimëkëmbje të lehtë në tremujorin e tretë të vitit 2020, midis shkurtit dhe dhjetorit pati një rritje mesatare prej 30 për qindtë papunësisë së të rinjve. Po çfarë nuk po funksionon? Ashtu si në të gjithë botën, kriza ekonomike ka shkaktuar efekte negative të ndryshme.

Por Ballkani Perëndimor, që ka ekonomi shumë më të brishta sesa fqinjët e tjerë evropianë, ka vuajtur më shumë se sa të tjerët. Mbylljet e ekonomive shkaktuan një rritje të fortë të shkallës së papunësisë, dhe rrezikuan krijimin e vendeve të reja të punës.

Por pse ndikimi tek të rinjtë ishte kaq i madh?Kjo ndodhi sepse ata e kishin tashmë më të vështirë të gjenin një punë, sesa pjesa tjetër e popullsisë. Të rinjtë punojnë kryesisht në sektorë të caktuar të ekonomisë, shpesh për punë të përkohshme dhe me kontrata të pasigurta, prandaj është më e lehtë që t’i pushosh nga puna në kohë të vështira.

Për shembull në Malin e Zi, më shumë se treçereku i të rinjve të punësuar ka një kontratë të përkohshme. Një shifër kjo shumë e lartë, e cila shpjegon pjesërisht ndikimin e fortë që pati pandemia në tregun e punës të të rinjve. Edhe para krizës, të rinjtë me një nivel të ulët arsimor, ishin shumë më të rrezikuar nga papunësia.

Në vitin 2019, shkalla e punësimit të tyre ishte më pak se 10 për qind në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kundrejt 18.5 për qind të mesatares së BE-së.

Nga ana tjetër, mbi 40 për qind e atyre që kishin marrë një diplomë të nivelit të lartë punonin (mesatarja e BE-së është 57 për qind), me rekordin60 për qind që e mbante Mali i Zi.

Pandemia nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka përkeqësuar situatën, duke thelluar pabarazitë midis më të arsimuarve dhe më pak të arsimuarve. Ndërkohë, dixhitalizimi i botës së punës ka favorizuar të parët dhe ka ndëshkuar të dytët. Po ashtu ata që arrijnë të sigurojnë arsimimin e duhur, zgjedhin shpesh të emigrojnë jashtë vendit, një tjetër tendencë që rrezikon të forcohet për shkak të krizës ekonomike aktuale.

Kriza ka prekur edhe vetë sistemin arsimor, duke i penguar shumë të rinj që të ndjekin shkollën. Në Shqipëri, qeveria vlerëson se gjatë viteve 2019-2020, afro 10.000 braktisën arsimin në nivele të ndryshme.

Kjo pjesërisht për shkak të pabarazisë dixhitale, pasi vetëm pak prej tyre kishin mundësinë që t’i ndiqnin mësimet përmes internetit.

Një raport i fundit i OECD, tregon se në fillim të pandemisë 2/3 e nxënësve 15 vjeçarë të Ballkanit Perëndimore, nuk kishin një platformë të përshtatshme mësimore, dhe një pajisje dixhitale për të ndjekur studimet. Por ka vetëm krizë, apo edhe mundësi të reja?

Sipas një studimi të Fondacionit Evropian të Trajnimit, vendet e Ballkanit Perëndimor mund ta shfrytëzojnë këtë krizë për të përshpejtuar transformimet e nevojshme, më synim rinisjen e procesit për forcimin e ekonomive të tyre, si dhe investimit tek të rinjtë.

Këto synime mund të arrihen falë fondeve të alokuara nga vetë vendet e rajonit, por dhe nga ato të Bashkimit Evropian. Sipas autorëve të studimit të lartpërmendur, vendet e rajonit mund të kërkojnë të përshpejtojnë dixhitalizimin e sistemeve të tyre arsimore, të financojnë programe për të garantuar qasjen në arsim dhe botën e punës, si dhe të promovojnë programe të reja të shkëmbimit për studentët

Eunews.al

Comments are closed.