×
Friday, December 3, 2021

Pandemia dhe kriza energjetike, Rama: Eurobondi, mundësi për përballimin e shpenzimeve

November 8, 2021

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Eurobondi që pritet të emetohet këto ditë, është një mekanizëm që jep mundësi të përballohet rritja e shpenzimeve dhe gjithë procesi i financimit të borxheve të marra në shumë vite.

Duke folur në Kuvend, teksa po diskutohet Akti Normativ i buxhetit 2021, Rama tha se ndryshimet erdhën si nevojë për t’iu përgjigjur dy çështje emergjente, përballimit të krizës energjetike si pasojë e rritjes së menjëhershme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe daljes me Eurobond në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Rama mohoi akuzat e opozitës se po marrim borxh për të shlyer borxhet.

“Eurobondi nuk është një borxh i radhës, por një mekanizëm financimi me likuiditet i vetë borxhit. Nuk po marrim borxh për të larë borxhe. Eurobondi është një mekanizëm që na jep mundësi të përballojmë rritjen e shpenzimeve dhe të gjithë procesin e financimit të borxheve të marra në shumë vite”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, Rama vetëm 8 vite më parë borxhi ka qenë 74 %.

“Sot është e vërtetë se është më i lartë se 74 %, por ka një pse, dhe kjo lidhet me faktin se midis momentit kur ne atë nivel e ulëm në 63 % dhe momentit që flasim sot, kanë ndodhur 2 ngjarje shumë të rënda që kanë krijuar nevojën imediate për të marrë borxh, tërmeti dhe pandemia”, deklaroi Kryeministri.

Sipas tij, borxhi që kjo opozitë u la shqiptarëve kur ata u larguan nga detyra ishte 74 % dhe nuk kishte as pandemi, as tërmet.

“Qoftë tërmeti, qoftë epidemia ishin të një forme tjetër. Në themelet e qeverisjes suaj ishte tërmeti dhe në praktikën e përditshme të saj epidemia”, deklaroi Rama.

Rama tha se protagonistët e qeverisjes së deridjeshme janë në krye të opozitës sot.

“Protagonistët e qeverisjes së djeshme i keni në krye, në të dy krerët e zogut që po përpëlitet, se tani është edhe e formalizuar që është një zog dykrenar Partia Demokratike, po jo shqiponjë. Akoma nuk jam i qartë se cilës specie do t’i ngjajë në fund të kësaj kacafytjeje, por shqiponjës jo”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, vendi është i besueshëm ndaj dhe u mundësua interesi 3.5 % për eurobondin e nxjerrë në kohë pandemie.

“Tregjet e kapitaleve nuk janë një sportel që mezi pret që t’i shkojnë shtetet që janë duke falimentuar. S’ka bankë që të jep borxh nëse nuk e provon që ti je në gjendje të lash borxhin. Kjo sepse tregjet e kapitaleve nuk njohin Edi Ramën, nuk dëgjojnë as Foltore, nuk njohin politikën, ato njohin vetëm shifrat dhe punojnë vetëm me makinë llogaritëse ndaj kur dolët ju herën e fundit e morët me interes 12.5 %, ndërsa ne me 3.5 %. Këta kërkojnë likuiditete për të vazhduar për të financuar borxhin e tyre. Ju merrnit borxh me interesa më të larta dhe për 1 lek borxh investonit 1.28 lekë, ne për 1 lek borxh investojmë 1.69 lekë, që do të thotë se ne me borxhin rrisim ekonominë“, deklaroi Rama.

Euenws.al

Comments are closed.