×
Saturday, July 31, 2021

Pak e sulmojnë, por askush nuk e mbron!

July 20, 2021

Nga Mero Baze

Ka një zhvillim të ri rreth mënyrës se si PD tani reagon kur dikush kërkon që Berisha të largohet prej PD. Dikur për këtë gjë mund të masakroheshe me breza.

Por tani çdo deklaratë e tillë shoqërohet nga një heshtje shurdhuese brenda PD. Shumica e atyre që e mbronin dikur Berishën po heshtin.

Po heshtin ish- bashkëpunëtorë të tij të rëndësishëm, ish- ministra të tij, ish- politikanë dhe aleatë të PD, por dhe militantë të njohur.

Pak nga pak po formohet një komunitet politik brenda Partisë Demokratike, që nuk ka më nerva të mbrojë Sali Berishën dhe as ta lidhë të ardhmen e vet me atë.

Në Kuvendin e fundit të PD ai tentoi të bëjë një spektakël, duke nxitur duartrokitje me futjen e tij në sale, për t’u treguar të gjithëve që PD ishte pronë e tij. Dhe kjo bëri që askush në tribunën e Kuvendit të mos fliste kundër tij, pasi llogariste pasojat e turmës.

Por nëse do të shikoni se çfarë reagime ka pas deklaratave të Mark Markut, se Berisha duhet të ngrijë raportet me PD, apo të dëshpërimit që kanë disa gazetarë ithtarë të tij, që ai po mbron Bashën dhe kunatin e tij, do të kuptoni se askush nuk e mbron Berishën.

Pra ajo që po i ndodh Berishës, është se atij nuk po i dalin më njerëz zot, kur dikush kërkon që ai të ngrijë raportet me PD, apo kur dikush tjetër i thotë se është kthyer në tutor të Lulzim Bashës.

Ka po ashtu një grup konsistent kritik në PD, së paku prej vitit 2017, që kritikojnë dhe Bashën, dhe Berishën, të cilët po ashtu po artikulojnë kundër tij.

Pra ashtu siç është e vërtetë se ka fare pak zëra që janë kundër tij, ashtu është po aq e vërtetë se ka një shumicë të heshtur që pason këto zëra.

Në rrethana të tjera, Mark Marku apo dikush tjetër që thotë gjysmë fjale të keqe për të, do të ishte linçuar. Tani nuk ndodh kjo.

Duket haptazi se në PD, Berisha është kthyer në një problem që askush nuk do t’i dalë zot. Ndaj ai u investua aq shumë në Kuvendin e PD të prodhonte duartrokitje, pasi ato janë anonime.

Ndërsa mbrojtja personale me emër, ai nuk ka nga askush. Nga askush në PD apo rrotull saj, përveç atyre që paguan i biri i vet. Dhe kjo nuk është pak si fillim.

Eunews.al

Comments are closed.