×
Thursday, October 6, 2022

Pahor: Anëtarësimi në BE zgjidh problemet e Ballkanit Perëndimor

August 14, 2022

Në planin afatgjatë, mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor është përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të vendeve në Bashkimin Evropian, deklaroi presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadolu Agency (AA).

Duke kujtuar se edhe Ballkani ka vuajtur nga konfliktet, Pahor tha se prej kohësh po përpiqet të tërheqë vëmendjen e kolegëve të tij në NATO dhe BE për ngjarjet në Ballkanin Perëndimor.

“Disa vende janë nën presion të drejtpërdrejtë nga Rusia”, paralajmëroi Pahor.

Po ashtu duke theksuar se Serbia është nën presion të madh për zbatimin e sanksioneve të bllokut perëndimor dhe BE-së, Pahor kujtoi se procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE vazhdon dhe mbrojti gjithashtu përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Nëse Serbia vendos të marrë anën tjetër, e ardhmja e Republika Sërpska në Bosnje- Hercegovinë mund të marrë një drejtim tjetër”, paralajmëroi Pahor.

Ai nënvizoi se dëshiron t’i shohë sa më shpejt të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në BE.

“Zgjidhja e vetme është përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE. Mendoj se BE-ja duhet të bëjë më shumë. Proces të njëjtë shohim edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë si dhe në tensionet midis grupeve të caktuara etnike në Bosnje-Hercegovinë, ku zgjedhjet priten me ankth. Në planin afatgjatë, e vetmja rrugë për zgjidhjen e këtyre problemeve është përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE”, theksoi presidenti slloven.

“Ballkani Perëndimor do të ekspozohet edhe më shumë ndaj Rusisë nëse NATO vazhdon të presë”, theksoi ai.

Pahor tha se duhet të ketë përshpejtim të ngjashëm të anëtarësimit të BH-së në NATO.

“Dëshiroj që BH-ja të bëhet anëtarja e ardhshme e NATO-s. Anëtarësimi i BH-së në NATO është i rëndësishëm për ndryshimin e lëvizjeve në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Pahor theksoi edhe rëndësinë e fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ai tha se në Ballkanin Perëndimor ka po aq mundësi sa edhe probleme.

”Rajoni ose do të shkojë në njërën anë ose në tjetrën. Në këtë moment, veprimet e NATO-s kanë rëndësi të madhe. Nëse vazhdon të presë, Ballkani Perëndimor do të jetë edhe më i ekspozuar ndaj Rusisë dhe mund të ketë probleme”, tha presidenti slloven.

Pahor foli edhe për tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës.

”Mbështes dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga fillimi. Është një çështje e vështirë, por për momentin ka problem të madh besimi mes palëve. Jam në kontakt me të dyja palët dhe e shoh se sa e vështirë është. Një marrëveshje paqeje mes Beogradit dhe Prishtinës është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe stabilitetin e dy vendeve, por edhe për të gjithë rajonin”, tha Pahor.

Lidhur me luftën në Ukrainë, Pahor tha se është i kënaqur me frymën e unitetit të treguar nga Perëndimi përballë kësaj lufte.



Comments are closed.