Osmani: Mosmarrëveshjet Shkup-Sofje të zgjidhen përmes një dokumenti gjithëpërfshirës
Shefi i diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut ndodhet në një periudhë sensitive në bisedat me Bullgarinë dhe se dialogu do të vazhdojë në nivel ekspertësh dhe grupesh pune.
Osmani tha se ”kjo çështje duhet të mbyllet një herë e përgjithmonë dhe të mos hapet më, përmes një dokumenti gjithëpërfshirës, i cili do të ishte protokoll ose deklaratë”.
”Propozimi portugez mbetet ende një zgjidhje e rëndësishme rreth së cilës po bisedohet. Ne duam ta mbyllim këtë çështje një herë e përgjithmonë dhe të mos hapet më. As nuk duam këtë çështje ta zgjidhim në copëza, por të kemi një dokument gjithëpërfshirës që do të ishte protokoll apo deklaratë, ku do të vendosen të gjitha dokumentet e rëndësishme për të gjitha palët dhe me të cilat do të rrumbullakoset kjo çështje”, shtoi ai.
Ministri sqaroi se konform Marrëveshjes nga viti 2017 ekziston instrumenti Komisioni Ndërqeveritar, i cili çdo vit nënshkruan protokoll për zbatimin e marrëveshjes.
”Të gjitha vendet duhet të thonë po. Ka anëtarë që janë shumë të ndjeshëm ndaj çështjes së bilateralizimit të procesit evropian për të përfshirë çdo gjë në kuadrin e negociatave. Fillimisht duhet ta harmonizojnë dhe të thonë ‘po’ e më pas ne ta pranojmë”, shtoi ai.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe homologu i tij bullgar Kirill Petkov u takuan të premten në Mynih, në punimet e Konferencës së Sigurisë, duke shprehur kënaqësinë për përparimin e bërë deri tani në bashkëpunimin dypalësh dhe duke njoftuar intensifikimin e tij./ata
Eunews.al