×
Saturday, February 4, 2023

Osmani: BE të lëvizë nga fjalët në vepra për liberalizimin e vizave për Kosovën

December 6, 2022


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi sot në Tiranë se beson fort se dialogu Kosovë-Serbi që udhëhiqet nga BE dhe mbështetet plotësisht nga SHBA është e vetmja mënyrë për të ecur përpara drejt një marrëveshjeje përfundimtare të përqendruar te njohja e ndërsjelltë.

Në një prononcim për mediet para nisjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor, Osmani tha se “Kosova ka treguar përkushtim ndaj BE-së në çdo veprim që ka ndërmarrë, sidomos kur vjen fjala te harmonizimi 100% me BE për çdo politikë të jashtme”.

“Na duhet që BE të lëvizë nga fjalët në vepra, sidomos kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova do të paraqesë aplikimin për anëtarësim në BE në fund të këtij viti dhe shpresojmë fort për mbështetjen e plotë të vendeve anëtare të BE-së”, tha ajo.

Sipas saj, “të qëndrosh në krahun e duhur të historisë sot është më e pakta që duhet pritur prej nesh”.

“Për fat të keq, Vuçiç është vazhdimësi e një mendësie që ka ekzistuar në vitet ’90 në Serbi dhe është kjo mendësi që çoi në luftë e shkatërrim. Mendësi që duhet hedhur poshtë nga të gjithë. Ajo që po tregon Kosova këto ditë është e kundërta e asaj çfarë po tregon Vuçiçi, po shtrijmë dorën e bashkëpunimit, edhe pse ata kurrë nuk kanë kërkuar të falur për krimet që kanë kryer”, tha ajo.

Osmani vlerësoi se ky samit që është një sipërmarrje shumë e rëndësishme si nga BE, edhe nga Ballkani Perëndimor.



Comments are closed.