×
Monday, December 9, 2024

OSBE ndihmë Shqipërisë në përballjen me ekstremizmin e dhunshëm

January 31, 2020


Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shqipëri organizoi sot aktivitetin përmbyllëse të projektit “Parandalimi dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çojnë në terrorizëm në burgje dhe shërbimin e provës”, i cili zbatohet që nga viti 2017.

Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, drejtues të OSBE-së, të institucioneve të tjera dhe të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa diskutimet u fokusuan në rolin e këtij projekti për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit tek personat që janë dënuar.

Kryetari i Misionit të OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, në fjalën e tij tha se lufta kundër pikëpamjeve radikale në burgje është shumë e rëndësishme.

“Hulumtimet e fundit tregojnë se burgjet mund të jenë edhe qendra radikalizimi. Sipas disa studimeve kalimi i kohës në burg mund të ketë edhe efekte pozitive tek të burgosurit dhe çradikalizimin e të burgosurve ushtarakë”, tha Borchardt.

Sipas tij, një nga parimet kryesore të OSBE-së është që siguria të ketë një kuptim që përfshin të drejtat e njeriut në shtetin e të së drejtës dhe sipas tij në kontekstin e burgjeve kjo është një çështje shumë e ndjeshme.

“Të burgosurit e dënuar për terrorizëm dhe ata që përkrahin ideologjinë e dhunshme ekstremiste bëjnë një sërë sfidash që kërkojnë një qasje për të zbutur rreziqet. Stafi i burgjeve dhe oficerët e shërbimit të provës qëndrojnë në ballë të këtij kufiri. Prezenca ka trajnuar 250 punonjës të stafit të burgjeve dhe shërbimit të provës se si të përballojnë dhe parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm”, theksoi Borchardt.

Ndërsa koordinatori kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri, Agron Sojati, në fjalën e tij në aktivitet tha se është me rëndësi të theksohet se Shqipëria ka bërë progres në implementimin e raportit në fjalë.

“Zbatimi i vendimeve gjyqësore për personat që janë dënuar për akte terrori apo edhe për ato që identifikohen si persona që radikalizohen gjatë kohës që vuajnë dënimin nuk është thjesht në mbajtjen në izolim këtyre personave, sesa me një dinamike tjetër që reflekton dhe dinamikën në fakt që ndodh në shoqëri, që nga raportet sociale, teknologjike dhe nevojën për ti adresuar”, tha Sojati.

Projekti në fjalë i mbështetur nga OSBE zbatohet që nga nëntori i vitit 2017, dhe ka si qëllim parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit tek personat e dënuar për krime të ndryshme.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments