Orban: Mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Arrihet marrëveshja e parë mes Shqipërisë dhe një vendi anëtar të BE për njohjen e ndërsjelltë të certifikatave të vaksinimit kundër COVID.
Shqipëria dhe Hungaria, pritet të finalizojnë brenda kësaj jave njohjen e të gjitha llojeve të vaksinave dhe të hapin kufijtë për lëvizjen e lirë mes dy vendeve, duke përfshirë edhe arsyet e turizmit. Kjo marrëveshje është arritur gjatë takimit Rama-Orban në Budapest ditën e sotme.
Teksa ka publikuar disa foto të takimit me kryeministrin Orban dhe delegacionet përkatëse, Rama shkruan se ishte një ditë e veçantë pune mbi bashkëpunimin bilateral në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe për ecurinë e integrimit evropian të Shqipërisë. Siç shkruan kryeministri Rama, Hungaria ka qenë historikisht një mbështetëse e palëkundur për integrimin e Shqipërisë në BE.
Vetë Orbán në një deklaratë për mediat bashkë me Kryeministrin Rama, tha se Hungaria është plotësisht e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë për anëtarësimin në BE sa më shpejt të jetë e mundur, pa parakushte të tjera dhe se do të punojë për të bërë maksimumi që kjo të ndodh.
“ Do të doja të theksoja edhe një herë, që është mesazh politik sot, që Hungaria është plotësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë për të arritur anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur, pa parakushte të tjera dhe Hungaria do të bëjë maksimumin”, tha Orban.
Nga ana tjetër kryeministri Rama vlerësoi bashkëpunimin në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe ekonomisë mes dy vende duke theksuar se Shqipëria do të përfitojë nga zhvillimi dhe modernizimi i Hungarisë.
Në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-hungareze, Rama nuk kurseu batutat me Orban, ku tha:
“Siç e tha Kryeministri Orban, miqësia jonë është e vjetër tashmë, por miqësia shqiptaro-hungareze është shumë më e vjetër sesa mendojnë njerëzit. Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju kemi dhuruar golashënuesin më të mirë të Ferencvárosi-t, kështu që ka shumë më tepër për t’u bërë”, tha Rama.
Një delegacion i vendit tonë kanë qenë në Hungari, mes tyreedhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ministrja e Arsimit, Evis Kushi dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, duke dakordësuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në disa sektorë. Manastirliu tha se po punohet mbi një bashkëpunim me Universitetin Mjekësor të Budapestit në mënyrë që të kemi diploma, doktoratura dhe praktika studentore të përbashkëta.
Kujtojmë se që nga fillimi i fushatës së vaksinimit, në vendin tonë janë përdorur Pfizer, AstraZeneca, Sinovac dhe Sputnik V. 800 mijë vaksinime kundër COVID-19 janë kryer deri tani në vendin tonë që nga fillimi i fushatës ‘Shqipëria Buzëqesh’ ndërsa procesi vijon pa u ndalur.