×
Sunday, June 28, 2020

Opozita, politikë me axhendën europiane të Shqipërisë

June 28, 2020

Nga: Saimir Alija

Të ashtuquajturat 15 kushte të Bashkimit Europian për integrimin Europian të Shqipërisë janë shndërruar sëfundimi në fokus të aksionit opozitar dhe kanë ndezur një debat të pakuptimtë dhe qesharak në optikën e çdo qytetari.

Të bësh politikë me axhendën europiane të Shqipërisë nuk është aspak e hijshme për opozitën shqiptare, sepse ecja përpara në procesin e integrimit të vendit drejt BE është në të mirën e çdo qytetari shqiptar dhe të Shqipërisë.

Në fakt zanafilla e 15 kushteve që trumbeton opozita e ka zanafillën që tek vendimi i Bundestagut gjerman, i cili  i hapi dritën jeshile çeljes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me BE-së, por duke vendosur 9 kushte, 6 prej të cilave lidhen me mirëfunksionimin e shtetit ligjor përmes organeve të drejtësisë.

Më pas në vendimin e datës 25 mars të Këshillit Europian për çeljen e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë më BE-në, Këshilli vendosi që Shqipëria përpara mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare duhet të përmbushë disa kushte siç janë miratimin e reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, të sigurojë financimin transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh opinionet e Komisionit të Venecias, si dhe finalizimin e ngritjes së strukturave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Autori: Saimir Alija

Por kurrësesi nuk janë përmendur 15 kushte për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së siç edhe pretendon opozita.  Vlen të përmendet që plotësimi i kushteve që vendi të bëhet pjesë e BE-së është një proces i vazhdueshëm që ska lidhje me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Shqipëria në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE ka shumë sfida dhe kushte për të plotësuar dhe nuk janë 15, por me qindra. Përfundimet e Këshillit gjithashtu parashikojnë që kuadri i negociatave do të pasqyrojë një numër çështjesh që Shqipëria do të duhet të vazhdojë t’i adresojë në periudhën vijuese, edhe si pjesë e procesit të negociatave. Puna tashmë po vazhdon në këto fusha. Komisioni Europian do të vazhdojë të monitorojë progresin në të gjitha fushat dhe të mbështesë përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë në plotësimin e tyre.

Teksa Shqipëria pret hartimin e kuadrit negociues nga Komisioni Europian dhe ka ngritur grupin negociator, të kryesuar nga diplomati i njohur, Zef Mazi, opozita ka bërë hapin e radhës duke rindezur një debat shterp se Shqipëria duhet të plotësojë 15 kushte para mbajtjes së konferencës së parë dnërqeveritare.

I gjithë opinioni publik është i paqartë nga histeria e opozitë dhe nuk po arrin të kuptojë se çfarë po ndodh në të vertetë. Opozita për kredo politike, e kuptueshme pasi po afrojne dhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2021 del çdo ditë dhe thotë që procesi i integrimit ka ngecuar dhe nuk ka vijim të tij pa plotësuar 15 kushte, madje për këtë shfrytëzon lidhjet me eurodeputetë të caktuar të familjes së saj politike europiane. Nga krahu tjetër kemi mazhorancën e cila thotë që nuk egzistojnë 15 kushte për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritar mes Shqipërisë dhe BE-së, dhe për këtë i referohet përfundimeve të Këshillit të 25 marsit 2020, ku qartazi specifikohen parakushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, kushte të cilat duhet të plotësohen në vijimësi.

Së fundmi në diskutimin e shumë përfolur në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian nën drejtimin e kryetarit David McAllister, Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz-Calavera tha se “ne duhet t’i diferencojmë të 15 kushtet”.

“Të 15 kushte janë shumë të rëndësishme për përparimin e Shqipërisë, por unë mendoj se ne duhet t’i diferencojmë ato. Nuk janë 15 kushte për të hapur raundin e parë të bisedimeve. Ka kushte që janë shumë të rëndësishme përpara hapjes së bisedimeve dhe kushte të tjera që duhet të plotësohen në të ardhmen pas hapjes së këtyre bisedimeve”.

Sipas Calavera “të gjitha këto kushte do të reflektohen në procesin e bisedimeve në konferencën ndërqeveritare dhe që do të diskutohen me anëtarët e BE në Këshill”.

Pra është përsëritur disa herë nga drejtues të rëndësishëm europianë në Bruksel që nuk  ka 15 kushte, mirpo opozita shqiptare nuk do ta dëgjojë  dhe do të besojë atë që do vete. Nuk arrij ta kuptoj papjekurinë e kësaj pjese të rëndsishme të klasës politikës në Shqipëri të cilët për interesa të ulta të politikës së ditës kërkojnë të dëmtojnë procesin e integrimit të vendit si e si vetëm për të ardhur në pushtet.

Si ka mundësi që edhe pse pas kaq shumë vitesh tranzicion mentaliteti dhe pjekuria politike ka ngelur në vend numëro. Jemi në vitin 2020 dhe ndasitë e klsasës politike sa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në BE ende nuk janë sheshuar.

Si ka mundësi që optika e kësaj pjese të politikës shqiptare ka mbetur e verbër. Negociatat nuk janë të Edi Ramës, por janë të gjithë shqiptarëve.  Shqipëria europiane është ëndrra e të gjithë shqiptarëve, të cilët kërkojnë që në fillim të viteve ’90 Shqipërinë si gjithë Europa të cilën nuk po e arrijnë ende. Në këto momente që flasim Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të rrugëtimit të saj europian, ka hapur negociatat, pret mbledhjen e parë ndërqeveritare mirpo egoja për pushtet e opozitës që i ka errësuar arsyetimin, sërish po bëhet pengesë si e si që ky proces të shtyhet dhe zvarritet edhe më shumë. Sigurisht që ata që humbasin janë qytetarët shqiptarë në fund të fundit.

Duhet kuptuar një herë e mirë që me anxhendën europiane nuk duhet të bëhet politikë e ulët për interesa të ditës, sepse është axhenda e të gjithë shqiptarëve, sepse nëse i referohemi sondazhit të realizuar vitin e kaluar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, rreth 97 % e qytetarëve shqiptarëve mbështesin integrimin europian. Ky është imponimi më kuptimplotë që i bëhet politikës shqiptare që të bashkëpunojë për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për