OKB, paralajmërim për rrezikun e lartë të përdorimit të armëve bërthamore



Shefja e OKB-së për çështjet e çarmatimit paralajmëroi të premten se rreziku i përdorimit të një arme bërthamore tani është më i lartë se në çdo kohë që nga Lufta e Ftohtë.
“Lufta në Ukrainë përfaqëson shembullin më të fortë të këtij rreziku”, tha Përfaqësuesja e Lartë e OKB-së për çështjet e Çarmatimit, Izumi Nakamitsu në një takim të Këshillit të Sigurimit.
Në takimin e kërkuar nga Ukraina, të cilën e mbështetën Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, u diskutua njoftimi i Rusisë më 25 Mars se po planifikon të dislokojë armë taktike bërthamore në Bjellorusi.
“Kur bëhet fjalë për çështjet që lidhen me armët bërthamore, dëshiroj të jem e qartë që në fillim: të gjitha shtetet duhet të shmangin marrjen e çfarëdo veprimi që mund të çojë në përshkallëzim, gabim ose llogaritje të gabuar”, tha ajo. “Të gjitha shtetet që janë pjesë e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore duhet t’u përmbahen rreptësisht angazhimeve dhe detyrimeve të tyre, që burojnë nga Traktati”.
Nakamitsu u kërkoi të gjitha vendeve që të kthehen në dialog dhe të ulin tensionet. Ajo i bëri thirrje veçanërisht Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara që të kthehen në zbatimin e plotë të traktatit më të madh të kontrollit të armëve midis dy fuqive.
Rusia tha muajin e kaluar tha se nuk do ta zbatonte më traktatin dhe njoftoi këtë javë se nuk do të ndante më informacione lidhur me armët e saj bërthamore, që zakonisht bëhet dy herë në vit. Uashingtoni tha se do të pezullojë ndarjen e të dhënave të tij bërthamore me Rusinë në një përpjekje për të inkurajuar Moskën që të rikthehet tek zbatimi i traktatit.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesit e dy vendeve shkëmbyen akuza lidhur me tërheqjen nga një sërë traktatesh për kontrollin e armëve.
Lidhur me planet e Rusisë për të dislokuar armë bërthamore taktike në Bjellorusi, i dërguari amerikan i kërkoi Moskës që ta rishqyrtojë vendimin e saj.
“Rusia duhet të ndërpresë menjëherë retorikën përshkallëzuese rreth përdorimit të armëve bërthamore”, tha ambasadori Robert Wood. “Çdo përdorim i armëve kimike, biologjike apo bërthamore në Ukrainë do të kishte pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe do të ndryshonte rrënjësisht natyrën e kësaj lufte”.
