OBSH: Virusi HMPV në Kinë është i zakonshëm, jo një kërcënim



Virusi, që po përhapet në Kinë, nuk është as i ri dhe as veçanërisht i rrezikshëm, tha sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) duke iu referuar një infeksion respirator HMPV.
“Infeksione të ndryshme të frymëmarrjes po qarkullojnë në Kinë, tipike gjatë dimrit – duke përfshirë gripin, RSV, Covid-19 dhe HMPV”, tha një zëdhënëse e OBSH-së.
Mediet kineze në fillim të dhjetorit raportuan se rastet e metapneumovirusit njerëzor (HMPV) ishin në rritje, duke ngritur shqetësime për shëndetin global – pesë vjet pas shpërthimit të pandemisë së Covid-19 në Kinë.
Por, si Pekini ashtu edhe OBSH-ja janë përpjekur të zbusin shqetësimet ditët e fundit.
“HMPV po tërheq shumë interes pasi nuk është një emër i njohur, por u zbulua në vitin 2001”, tha zëdhënësja e OBSH-së Margaret Harris, në Gjenevë.
“HMPV është një virus i zakonshëm që qarkullon në dimër dhe pranverë”, shtoi ajo.
“Nivelet e raportuara të infeksioneve të frymëmarrjes në Kinë, janë brenda kufijve të zakonshëm për sezonin e dimrit”, tha Harris.

