Obama: Rëndësia e Trump është mbivlerësuar




Të dy ish-presidentët, Obama dhe Trump, i bashkon antipatia për njeri-tjetrin. E megjithatë kritika e Obamës ndaj pasardhësit të tij Trump shprehur në një intervistë në ZDF nuk është dhe aq e ashpër sa mund të pritej, njofton DW.
Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama nuk ka ndonjë konsideratë për trashëgiminë politike të Donald Trumpit. Rëndësia e pasardhësit të tij është mbivlerësuar, tha 59-vjeçari në një intervistë për televizionin gjerman ZDF. Për shembull, Trump nuk arriti ta shpërbëjë, ashtu sikurse pati deklaruar, aksesin e përmirësuar në sigurimin shëndetësor të hartuar dhe të aplikuar nga demokratët. E po ashtu edhe sa i përket politikës për mbrotjen e klimës presidenti i ri Joe Biden shumë shpejt do të arrijë ta rikthejë në shinat e mëparshme, duke iu ribashkuar Marrëveshjes së Parisit për klimën.
Lidhur me forcën e kampit konservator të udhëhequr nga Trumpi dhe ndikimin e tij, Obama tha se Trumpi në fund të fundit nuk u rizgjodh në postin e presidentit – në dallim prej tij, i cili fitoi edhe një mandat të dytë në vitin 2012. Fitorja e zgjedhjeve nga Trumpi në vitin 2016 ishte për shkak të konflikteve të vjetra shoqërore në SHBA nga njëra anë, por edhe për shkak të krizës financiare të viteve 2008-2009, tha Obama. Përkeqësimi i gjendjes ekonomike asokohe shkaktoi paqëndrueshmëri dhe shqetësim tek njerëzit. Shumë njerëz kishin frikë se kriza mund të ketë pasoja edhe për ata personalisht.
Eunews.al
