×
Thursday, July 25, 2024

Një vendim për të marrë peng PD

May 21, 2021


Nga Mero Baze

Sali Berisha ka bërë një hap përpara, duke përfshirë në konflikt me SHBA, Partinë Demokratike. Sot në mbasdite ai njoftoi se ka angazhuar një avokat francez, për të ngritur padi ndaj sekretarit të Shtetit Blinken, të cilin e akuzon se i ka fyer dinjitetin dhe personalitetin e tij, një rast i pandodhur ndonjëherë në historinë e qëndrimeve të SHBA ndaj liderëve të goditur prej saj.

Gjesti i Sali Berishës, i cili në finale mund të përfundojë në një mashtrim, sa për t’u dhënë zemër mbështetësve të tij, më shumë se sa të pastrojë dinjitetin e vet, është një përpjekje që të mbajë të mbërthyer Partinë Demokratike në konflikt me SHBA, në rrugë zyrtare.

Ky qëndrim, i cili në thelb është një mashtrim, synon të justifikojë mos dorëzimin e mandatit si deputet, si dhe të kthejë në studio avokatie, Partinë Demokratike, jo atë avokatin francez.

Duke mbajtur mandatin e deputetit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka shpallur peng të tij Lulzim Bashën, duke e detyruar atë, ose të bëhet avokat real i Sali Berishës, ose të zbohet nga selia e partisë si tradhtar i tij.

Ai nuk ka lënë asnjë vend për mëdyshje, siç shpreson Basha ta shtyjë këtë konflikt, duke bërë sikur është edhe me Berishën, edhe me SHBA.

Berisha ngriti ‘stekën’ e betejës me SHBA, në atë pikë, që Basha ose do hyjë në luftë për të mbrojtur Berishën nga SHBA, ose do hyjë në betejë për të mbrojtur SHBA nga Berisha. Nuk ka rrugë tjetër.

Lajmërimi i një procesi gjyqësor ndaj SHBA, përveçse është diçka qesharake në aspektin juridik, është një gjë shumë serioze në aspektin politik, pasi kërkon të nisë PD-në, si repart ushtarak në luftë me SHBA për interesa të tij.

Ndërkohë, derisa të sqarohet se ky nuk ka për të hapur ndonjë gjyq, militantët trushpëlarë të tij, janë më të qetë, se Franca do t’i marrë hakun Doktorit ndaj SHBA.

Nga ana tjetër, alibia e tij se sekretari i Shtetit Antoni Blinken, duhet t’i japë fakte këtij, përse e ka futur në listë të zezë familjarisht, është një absurditet.

Sekretari Blinken është furnizuar me fakte dhe është bindur të marrë vendimin në bazë të interesave të SHBA, jo të Sali Berishës.

Ai nuk e ka marrë këtë vendim për të bindur Sali Berishën, por për të bindur shtetin e tij, se ky person dëmton interesat amerikane dhe parimet e demokracisë amerikane në Shqipëri. Dhe për këtë ai jep llogari para shtetit të vet, jo para Sali Berishës.

Sa i përket fakteve, ato mund t’i vijnë në ndihmë drejtësisë shqiptare kur t’i hapë procese gjyqësore Sali Berishës. Faktet e tyre nuk janë për t’u përgojuar nga Sali Berisha, tek qytetari digital, por për t’u futur në dosje penale.

Sali Berisha është nën akuzë se ka minuar demokracinë, se ka përdorur pushtetin për përfitime personale e familjare, dhe se ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të mbrojtur familjarë dhe aleatë të tij politikë.

Minimi i demokracisë është një akuzë fatale, pasi është një akuzë që dëshmon një proces të gjatë 30- vjeçar kundër ëndrrës së shqiptarëve.

Minimi i demokracisë ka filluar me minimin e zgjedhjeve të lira, me destabilizimin e Shqipërisë më 1997, me përpjekjet e dhunshme për të marrë pushtetin, me dhunim të sistemit gjyqësor, duke shpallur kryeprokuroren që po i hetonte djalin dhe vajzën, si “lavire”, me dhunim të institucionit Presidentit, duke e shpallur puçist përse nuk i doli në krah si vrasës më 21 janar, me dhunim të shtypit të lirë dhe burgosjes e dhunës mbi gazetarët, në emër të familjes së tij, dhe dhjetëra akte të tjera.

Qysh në vitin 1997, Sali Berisha është shpallur nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, si një nga dhjetë “armiqtë e shtypit” në botë, së bashku me Milosheviçin, dhe liderët komunistë të Koresë, Kubës, Kinës, Bjellorusisë etj.

Biografia e Sali Berishës është ilustrimi më i mirë i minimit të demokracisë dhe gjendjes ku jemi sot. Ndaj ai është i vetmi udhëheqës i Ballkanit që ka marrë këtë ndëshkim shembullor, pas Milosheviçit.

Autokratë dhe hajdutë të tjerë në Ballkan ka pas plot, por jo në nivelin e Sali Berishës. Ky i ka rekordet të njëjta me Sllobodan Milosheviçin, përveç akoma një gjyqi për krime ndaj njerëzimit, që nuk është se nuk ka lëndë edhe për atë.

Për Sali Berishën nuk mungojnë fakte, mungojnë gjyqet.

Ky ndëshkim shembullor, ndoshta do të çelë derën e tyre. Atëhere Berisha do të ketë shanse të njihet dhe me fakte, që nuk janë si serverat e 21 janarit, që fshihen.

Ai vendosi sot të kthejë Partinë Demokratike në studio ligjore për të mbrojtur të ardhmen e tij. Ky është i vetmi kuptim i qëndrimit të tij .

Tani ky është problem mes tij dhe PD-së, jo mes tij dhe shqiptarëve. Nëse PD do të bëhet studio ligjore e Berishës, le të bëhet, por do katandiset sa ata 20 vetët që e prisnin tek dera e “Rogner”-it.

Në këtë betejë, shqiptarët janë në anën e SHBA, jo në anën e Berishës. Ai ka rival vetëm Ilir Metën, në përpjekje për të udhëhequr partinë e parë anti-amerikane në Shqipëri.

Dhe në raport me Ilir Metën, i takon këtij posti i kryetarit, pasi ai u dorëzua dhe u tregua i gatshëm të vritet në Malin me Gropa. Kurse ky po i gjuan me raketë nga Parisi.

Eunews.al



Comments are closed.