Një ushtarak në krye të shtetit, kuvendi voton sot kandidatin Bajram Begaj
Emri i Bajram Begajt, që u propozua si kandidat për President një ditë më parë nga socialistët, do të shkojë sot në kuvend, për t’u votuar nga deputetët në orën 18:00.
Fillimisht, këtë të shtunë në orën 10:00 do të mblidhet Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ku do të mblidhen votat për kandidatin Begaj. Duhen të paktën firmat e 20 deputetëve për mbështetjen e një kandidati, që më pas do të depozitohenzyrtarisht në Kuvend. Afati i përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve është ora 12:00 sot.
Në orën 16:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për të shqyrtuar kriteret ligjore kushtetuese të kandidatit që propozuan socialistët.
Më pas, në orën 18:00 do të nisë seanca në Kuvend. Sot do të jetë raundi i katërt I procesit për zgjedhjen e Presidentit, por i pari ku ka një kandidat, emri i të cilit depozitohet në kuvend. Opozita nuk ka dorëzuar asnjë propozim, duke bojkotuar procesin, me arsyetimin se Edi Rama do ta zgjedhë vetë Presidentin dhe po luan një farsë me ftesën që i bëri të djathtës për ta zgjedhur ata kreun e shtetit. Një ditë më parë, Enkelejd Alibeaj dhe grupi i deputetëve që e mbështesin atë, tha se do të bojkotojë votimin e sotëm, ndërsa grupimi i Sali Berishës njoftoi se do të jetë i pranishëm, pasi “statuti i ri i ndalon kësaj force politike bojkotin”.
Në këtë raund mjaftojnë 71 vota, që mazhoranca i ka, për të caktuar kështu pasardhësin e Ilir Metës, që dorëzon detyrën në 24 korrik.