Nisin takimet dypalëshe në Bruksel për të zhvendosurit dhe çështjet ekonomike
Në Bruksel nisi takimi midis përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian, në kuadër të raundit të sotëm të bisedimeve Kosovë-Serbi, në nivel ekspertësh.
Përfaqësuesit evropianë do të zhvillojnë bisedime të ndara edhe me ata të Serbisë, përpara se të mbahet takimi i përbashkët trepalësh.
Është ky takimi i dytë i tillë në një javë, që ndërmjetësohet nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Delegacioni i Kosovës kryesohet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërsa ai i Serbisë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Zyrtarë të BE-së konfirmuan se në agjendë të bisedimeve sot janë personat e zhvendosur dhe çështjet ekonomike.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, në nivelin më të lartë, ka rinisur më 16 korrik, me një takim midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidetit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga zyrtarët e lartë të BE-së.
Takimet në nivel ekspertësh nuk janë mirëpritur në Prishtinë, ku partitë opozitare, por edhe partnerët e koalicionit dhe presidenca kanë thënë se ato e zvarrisin arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
Hoti, megjithatë, ka insistuar se me takimet e tilla ka nisur edhe draftimi i marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë.
Eunews.al