×
Friday, October 22, 2021

Nishani: PD është sot në krizë identiteti

October 12, 2021

Ish-Presidenti Bujar Nishani, i pozicionuar tashmë në krah të ish-kryeministrit Berisha dhe një mbështetës i foltoreve të tij nuk i kurseu kritikat ndaj Lulzim Bashës në emisionin “Real Story”. Ai tha se PD është sot jo vetëm në krizë politike dhe elektorale, por edhe në një krizë të madhe identiteti.

“E ka tejkaluar edhe të qenit krizë e madhe në PD. Deklaratat më të fundit, që reflektojnë një kuptim mbi mënyrën si është ndërtuar PD, si funksionon, çfarë mbartë PD, nga kryetari, tregon se ka një krizë identiteti PD sot. Të thuash dhe të konsiderosh qeverisjen e partisë, që ke marrë përsipër ta drejtosh, pra njërën prej pjesëve më të rëndësishme të kësaj partie, që është pikërisht qeverisja, si një lum, pavarësisht në kuptimin segmentar të saj, pa dyshim kjo tregon një reflektim shumë të rëndë, që ka të bëjë me krizën e identitetit.

Kujt i referohet llum z. Basha? Ka qenë në drejtimin e ministrive më të rëndësishme në atë qeverisje. T’i drejtohesh si llum, tregon krizë identiteti. Nëse ka një qeverisje që i dha kosto PD, është qeverisja e Bashës si kryebashkiak në Tiranë. Ai kishte krijuar llum me mosqeverisjen e tij ‘de facto’ në Tiranë. Unë kryetar opozite që të bëjë kaq shumë gafa, nuk kam ndeshur asnjëherë në të shkuarën. Pra, për fatin e keq, shumë e hidhur për mua, PD është jo vetëm në një krizë të madhe politike dhe elektorale, por edhe në një krizë të madhe identitet, që duhet zgjidhur me çdo kusht.

Thelbi i çështjes nuk është se kush do të jetë nesër alternativa e Lulzim Bashës, por si do të ndërtohet alternativa e PD, përfshirë dhe drejtuesin, kryetarin nesër. Unë mendoj se kjo është sfida realisht e PD dhe kjo në fakt duhet të jetë. Nuk mund ta mohojë askush që sot ka problem mes Bashës e Berishës, por nuk është thelbi. Thelbi nuk është alternativa e Bashës sot për sot. Cilido prej tyre, po të kritikohet, por brenda disa parimeve, jam i bindur që nuk do të ketë asnjë lloj keqkuptimi. Ne duhet të bindim njëri-tjetrin, që çdo përpjekje e sotme duhet bërë për mënyrën se si duhet ndërtuar një parti moderne. PD sot ka rëndësi të demonstrojë çfarë, si dhe kur mund të arrijë ajo një fytyrë ndryshe”, – u shpreh Nishani.

Eunews.al

Comments are closed.