×
Friday, December 3, 2021

Nis sot seanca maratonë e ‘Projekt- Buxhetit 2022’

November 15, 2021

Nis sot më 15 nëntor seanca maratonë për shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022”, në Kuvendin e Shqipërisë.

Seanca do të vijojë punimet parlamentare edhe me datë 16 nëntor.

Qeveria e Shqipërisë e ka depozituar më 26 tetor në Kuvend projektligjin për “Buxhetin e Shtetit” për vitin e ardhshëm.

Sipas tij, qeveria ka parashikuar të shpenzojë rreth 637 miliardë lekë, dhe të ardhurat priten të shkojnë në 536 miliardë lekë.

Në këtë mënyrë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka planifikuar që deficiti të arrijë në 101 miliardë lekësh.

“Shpenzimet e personelit për vitin 2022, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave kryesisht për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes”, shkruhet në njoftim.

Gjithashtu aty theksohet, se fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësor dhe ata arsimorë.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së.

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke u rritur krahasuar me një vit më parë.

Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.

Niveli i fondit rezervë për vitin 2022, planifikohet në masën 3.4 miliardë lekë, përkatësisht 2.4 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 500 milionë lekë fond kontigjence për projektet me BE-në si dhe 500 milionë lekë kontingjencë për projekte specifike për fëmijët.

Eunews.al

Comments are closed.