×
Wednesday, October 16, 2024

Nikolla i përgjigjet PD-së: Bllako dorëzoi mandatin, kërkesa e SPAK nuk është më objekt shqyrtimi

March 30, 2022


Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në përgjigje të kërkesës së deputetëve të grupit parlamentar të PD-së për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, theksoi se, “kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është më objekt i shqyrtimit nga Kuvendi, pasi Bllako ka hequr dorë nga mandati i deputetit”.

Nikolla theksoi se Alqi Bllako, për të cilin është kërkuar dhënia e autorizimit për arrestim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur në Kuvend deklaratën se me dijeni dhe vullnet të plotë dorëzon mandatin e deputetit nëpërmjet heqjes dorë nga ky mandat.

“Referuar Kushtetutës, mandati i deputetit Alqi Bllako, mbaron për arsye të heqjes dorë nga mandati”, tha ajo.

Në këto kushte, sipas rregullores së Kuvendit, Nikolla theksoi se “kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është më objekt i shqyrtimit nga Kuvendi”.

“Sa më sipër, është anuluar mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, njoftuar për sot, ora 18:00. Çështja për të cilën ju kërkoni mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk ekziston më. Për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, tha Nikolla.




Comments are closed.