Nga Rusmali, Basha tek Alibeaj/ Si i ndëshkoi Berisha të gjithë njerëzit e tij që bashkëpunuan me SHBA
Nga Adriatik Doci
Amullia sot në PD është produkt i goditjes së Sali Berishës nga Uashingtoni vitin e kaluar.Nuk ka dyshim se vendimi i Departamentit Amerikan i Shtetit për të shpallur non grata Sali Berishën në 19 maj 2021, është kulmim i përplasjeve të hershme, sa publike aq edhe të nëndheshme mes Berishës dhe Amerikanes. Krisja e parë erdhi pas thyerjes nga Berisha të embargos së naftës ndaj Millosheviçit dhe flirtit me celulat ekstremiste iraniane. Krisja u thellua në zgjedhjet e 26 majit 1966, të cilat nuk u njohën nga Perëndimi, u përshkallëzua në ’97 si dhe pas grushtit të shtetit në 14 shtator 1998, ku Berisha mori një ultimatum nga Uashingtoni që të tërhiqej menjëherë.
Përplasjet vijuan pasi Berisha shpalli UÇK-së organizatë terroriste, për Gërdecin, shitjen e detit, 21 Janarin dhe vitet e fundit për shkak të betejës së Berishës kundër reformës në drejtësi.
Gjatë përplasjeve 30-vjeçare, Sali Berisha ka ndëshkuar edhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët bashkëpunuan me SHBA me dhe pa dijeninë e tij. Subjekt i hakmarrjes së Berishës ishte edhe Ilir Rusmali, ish ministër, ish zëvendëskryeministër dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve. Në vitin 2011, rrodhën në media mijëra dokumente të administratës amerikane, mes të cilave edhe kabllogramet që Ambasada Amerikane në Tiranë i dërgonte Departamentit Amerikan në Shtetit për zhvillimet në Shqipëri.
Nga përmbajtja e disa kabllogrameve u zbulua se Ilir Rusmali dhe Leonard Demi sinjalizonin Ambasadën Amerikane për plane dhe nisma të Berishës kundër demokracisë dhe në funksion të pushtetit të tij. Në një kabllogram të 18 dhjetorit 2018, raportohet në DASH për Ilir Rusmalin, i cili komentonte zhvillimet e tensionuara politike në Tiranës.
Në një tjetër kabllogram thuhej se Leonard Demi, në atë kohë deputet i PD-së dhe kryetar i Komisionit të Sigurisë, ka informuar ambasadën amerikane në Tiranë, lidhur me skenarin e Berishës për kontrollin e Shërbimit Informativ Shtetëror, përmes ndryshimit të ligjit, duke parashikuar një pikë shkarkimin e kryetarit dhe emërimit të një ushtari të tij të besuar.