×
Thursday, July 25, 2024

Negociatata/ Shqipëria ka bërë gjithçka pritej. Tashmë i takon Bashkimit Europian të mbajë fjalën

May 23, 2021


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka pritur në një takim homologët e saj të Austrisë, Alexander Schallenberg, Sllovenisë, Anže Logar, dhe Çekisë, Jakub Kulhánek.

Pas takimeve në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë, ministrat mbajtën një konferencë për mediat, duke u fokusuar në çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë dhe bashkëpunimit mes vendeve.

Ministrja Xhaçka theksoi se prania e tre homologëve në Tiranë është tregues i mbështetjes për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Përmbushëm të gjitha kushtet, të gatshëm për konferencën e parë ndërqeveritare. Komisioni Evropian i ka njohur Shqipërisë arritjet e reformave. Shqipëria gati të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në në qershor”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Ministri Schallenberg, duke iu referuar procesit të integrimit evropian, tha se e ka radhën BE-ja të hedhë hapin e saj, pasi, sipas tij, “Shqipëria ka bërë gjithçka pritej prej saj”.

Ministri slloven Logar tha se mendojnë se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj.

“Tashmë i takon Bashkimit Evropian të mbajë fjalën”, u shpreh Logar.

Ndërkohë, kryediplomati çek theksoi se ritmi i vendimmarrjes së Bashkimit Evropian duhet të shpejtohet.

“Çelja e bisedimeve të anëtarësimit do të jetë një shtysë e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, por edhe për rajonin në tërësi”, theksoi Kulhánek.

Krydiplomatët e Asturisë, Sllovenisë dhe Çekisë do të takohen edhe me zyrtarët e lartë të tjerë të Shqipërisë.

Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe është në pritje të fillimit zyrtar të negociatave të anëtarësimit.

Eunews.al



Comments are closed.