×
Wednesday, January 19, 2022

Në tokën e askujt, kolaterali njerëzor

November 30, 2021

Të shtëna armësh jehojnë nëpër pyll ndërsa ushtarët bjellorusë qëllojnë për paralajmërim, duke dashur të largojnë azilkërkuesit e tmerruar nga Iraku dhe Siria.

Përgjatë kufirit, trupat polake dhe bjelloruse vështrojnë njëra-tjetrën me kujdes përmes gardhit me tela. Rojet polake thonë se natën verbohen nga bjellorusët që përdornin drita të forta dhe lazera, ndërsa emigrantët kalojnë fshehurazi.

Azilkërkuesit javën e kaluar përjetuan kushte ferri, në pyje dhe në kampingje të improvizuara, ku presin degë për dru zjarri dhe racionojnë ujin, për të mbijetuar. Trupi i një të riu sirian u gjet në pyll në Poloni të premten e kaluar, të paktën personi i nëntë që ka vdekur këtë vit. Të tjerët janë rrahur nga hajdutë që prisnin në pyll.

Ky është kaosi në kufirin lindor të Evropës në vitin 2021. Vitin e kaluar, Aleksandër Lukashenko, lideri autokratik i Bjellorusisë, kaloi nga të qënit bezdi, në pabesi ndërkombëtare, e tani në armiqësi. Basti i tij më i madh deri sot, ka qenë krijimi i një krize të re emigrantësh në kufijtë e BE-së, duke shfrytëzuar dëshpërimin e mijëra njerëzve, për t’u hakmarrë ndaj Brukselit për sanksionet kundër regjimit të tij.

Ai beson se duke e përshkallëzuar këtë krizë deri në një katastrofë humanitare, mund ta detyrojë BE-në të ulet në tryezë, madje ka kërcënuar se aleati i tij Rusia, mund të futet në këtë grindje.

“Ai nuk ka frikë nga vdekjet në kufi,” tha një panel ekspertësh nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë javën e kaluar. “Për të, kjo ka të bëjë me hakmarrjen dhe është një çështje e mbijetesës së regjimit – që do të thotë se ai është gati të përshkallëzojë më tej dhe të kërkojë mbështetjen e Rusisë në proces.”

Mbështetësi kryesor i Lukashenkos duket se ka hequr dorë nga kërcënimet e tij më agresive. Fundjavën e kaluar, Vladimir Putin tha se Lukashenko po fliste jashtë radhe, kur kërcënoi se do të shkurtonte dërgesat e gazit rus në Evropë.

“Unë po e dëgjoj këtë për herë të parë,” tha Putini në komentet e tij të para publike mbi krizën, që kur një kolonë prej më shumë se 1,000 emigrantësh, shumica kurdë irakianë, zbritën në kufi. “Ai mund ta bënte këtë gjë teorikisiht, por asgjë e mirë nuk del prej kësaj.”

Këtë javë, BE-ja njoftoi sanksione të reja që shënjestrojnë “të gjithë të përfshirët”, në lehtësimin e transportit të njerëzve në kufirin e Bjellorusisë me Poloninë. Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, tha se vendimi i 27 ministrave të jashtëm të BE-së pasqyronte “vendosmërinë e Bashkimit Evropian për t’i bërë ballë instrumentalizimit të emigrantëve për qëllime politike”.

Një listë njerëzish dhe subjektesh që do të goditen nga ngrirja e aseteve dhe ndalimet e udhëtimit do të finalizohet në javët në vijim.  Ajo do të përfshijë “njerëz, linja ajrore, agjenci udhëtimesh dhe të gjithë të përfshirët në këtë shtytje të paligjshme të emigrantëve drejt kufijve tanë”, tha Borrell.

Putini e ka distancuar Rusinë nga kriza. “Dua që të gjithë ta dinë se nuk kemi të bëjmë fare”, tha ai në një intervistë. “Të gjithë po përpiqen të riorganizojnë disa përgjegjësi mbi ne në çdo rast.  Por asnjë nga linjat tona ajrore nuk i transporton ata njerëz.”

Evropianët, veçanërisht ukrainasit, kanë dëgjuar këto lloj mohimesh edhe më parë.  Që nga viti 2014, Rusia ka pretenduar vazhdimisht se nuk ka fare të bëjë me konfliktin në Ukrainën juglindore, pavarësisht provave të shumta që Rusia dërgon para, njerëz dhe materiale për të armatosur njerëzit e saj.  

Tani, si mbështetëse kryesore e Bjellorusisë në një konflikt me BE-në, Moska po ndjek një strategji të ngjashme: duke u përpjekur të fillojë bisedimet midis Minskut dhe vendeve evropiane, veçanërisht Gjermanisë, duke luajtur rolin e palës së pa interesuar. Pak e hanë këtë.

Angela Merkel, kancelarja gjermane në largim, i ka telefonuar Putinit për t’i thënë të ndikojë tek regjimi në Minsk. Kryeministri i Polonisë, Mateusz Moraviecki, i cili ka autorizuar masa ekstreme, të diskutueshme për të larguar emigrantët nga kufijtë e vet, akuzoi Putinin se po “udhëheq” krizën e emigrantëve.

Sinjalet nga Rusia nuk janë inkurajuese. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për një grumbullim të ri rus, me tanke, artileri, madje edhe raketa balistike me rreze të shkurtër, që lëvizin në rajonet kufitare me Ukrainën dhe Bjellorusinë. Në mos tregon për një pushtim të afërt, aktiviteti i pazakontë ushtarak do të thotë se Rusia mund të mobilizohet shpejt, nëse vendos të dërgojë një forcë të madhe përtej kufirit.

“Shqetësimi ynë është se Rusia mund të bëjë një gabim serioz duke u përpjekur të ripërsëritë atë që ndërmori në vitin 2014, kur grumbulloi forca përgjatë kufirit, kaloi në territorin sovran të Ukrainës dhe e bëri këtë duke pretenduar padrejtësisht, se ishte provokuar”, tha sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken.

Rusia ka dislokuar parashutistë dhe bombardues me aftësi bërthamore në Bjellorusi për ushtrime stërvitore, në shenjë mbështetjeje të vazhdueshme për Minskun. Të premten e kaluar, Rusia dërgoi dy bombardues mbi Detin e Veriut, ku RAF-it iu desh të dërgojë avionë gjuajtës për t’i penguar.

“Situata ushtarako-politike në Evropë po përkeqësohet. Grumbullimi ushtarak i NATO-s pranë kufijve rusë po vazhdon”, tha një zëvendës i ministrit rus të mbrojtjes Sergei Shoigu gjatë bisedimeve në Paris javën e kaluar. Putini është ankuar gjithashtu për stërvitjet e fundit të NATO-s në Detin e Zi dhe përdorimin e avionëve turq, nga Ukraina në Ukrainën Lindore.

Rritja e tensioneve i shkon për shtat Lukashenkos, i cili i ka varur shpresat në mbështetjen e Rusisë. Ai tha: “Ne e dimë se nëse, Zoti na ruajt, bëjmë ndonjë gabim, nëse pengohemi, kjo do ta tërheqë menjëherë Rusinë në këtë vorbull dhe Rusia është fuqia më e madhe bërthamore”.

Por, duke u kthyer në një nga kërcënimet më të mëdha të Evropës, ish-bosi bjellorus i fermave, po luan një lojë të rrezikshme. Sanksionet e reja evropiane ka të ngjarë ta çojnë Bjellorusinë më tej në izolim. Madje edhe kundërshtarët e vendosur të Lukashenkos vënë në dyshim nëse mbështetja e tij në Kremlin është e pakushtëzuar.  

Franak Viačorka, një këshilltar i lideres së opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, tha për kërcënimet e Lukashenkos për ndërprerjen e gazit në Evropë: “Në mënyrë të parashikueshme, ai nuk u konsultua me Kremlinin. Ai përsëri po përpiqet të fshihet pas [Rusisë]. Kriza në kufi do të zgjidhet duke çmontuar diktaturën në Minsk”. Observer 

Eunews.al

Comments are closed.