×
Friday, December 3, 2021

Ndryshimet klimatike, oqeanet humbasin oksigjenin

December 9, 2019

Oqeanet po humbasin oksigjenin për shkak të ndryshimit të klimës, proces ky me pasoja të rënda për jetën në det dhe biodiversitetin e peshkimin, theksohet në raportin e ruajtjes së natyrës, që u publikua në fundjavë (7.12).

Ky është “apeli i fundit për ndërgjegjësimin” për njerëzimin sa u përket emisioneve në rritje të diaoksidit të karbonit, sipas raportit, botuar në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet e Klimës në Madrid.

Autorët thonë, se raporti “Deoksigjenimi i Oqeanit: Problemi i të gjithëve”, është studimi më i madh i rishikuar për shkaqet, ndikimet dhe zgjidhjet e mundshme lidhur me humbjen e oksigjenit të oqeanit.

“Me këtë raport, shkalla e dëmtimit nga ndryshimi i klimës po shkatërron oqeanin, fokusohet edhe më fort. Ndërsa oqeani prej ngrohjes po humbet oksigjenin, ekuilibri delikat i jetës nënujore ka nisur të çrregullohet”, tha dr. Grethel Aguilar, drejtor i përgjithshëm në Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), një organ i përbërë nga grupe qeveritare dhe shoqëri civile.

‘Alarmi ultimativ i zgjimit’

“Efektet potencialisht të rënda ndaj peshkimit dhe gjallesave vulnerabël në zonat bregdetare e përforcon edhe më shumë rëndësinë e vendimeve të marra në Konferencën e OKB-së për Klimën. Për të frenuar humbjen e oksigjenit të oqeanit krahas ndikimeve të tjera katastrofike të ndryshimit të klimës, udhëheqësit botërorë duhet të angazhohen për uljen e menjëhershme dhe të qenësishme të emisioneve të dioksidit të karbonit”.

Sipas raportit, territoret ujore me përqëndrim të ulët oksigjeni janë duke u zgjeruar: afro 700 zona oqeanike në të gjithë globin janë të prekura aktualisht nga niveli i ulët i oksigjenit – nga vetëm 45 që kanë qenë prekur në vitet 1960. Gjatë pesë dekadave të fundit, zonat e zbrazura plotësisht prej oksigjenit janë katërfishuar.

“Ky është ndoshta alarmi i fundit i zgjimit për t’i dhënë fund eksperimentit të pakontrolluar që njerëzimi po bën në oqeanin botëror, pasi emetimet e dioksidit të karbonit vazhdojnë të rriten”, tha Dan Laffoley, këshilltar për shkencën dhe ruajtjen e detit në Programin Global Marine dhe Polar të IUCN dhe një bashkëpunues në grupin e drejtuesve të këtij studimi. “Shkatërrimi i oksigjenit të oqeanit po rrezikon ekosistemet detare tashmë nën stres nga ngrohja e oqeanit dhe acidifikimi. Për të ndaluar përhapjen shqetësuese të zonave me varfëri oksigjeni, duhet të frenojmë me vendosmëri emetimet e gazrave serë, si dhe ndotjen e lëndëve ushqyese nga bujqësia dhe burimet e tjera.”

Planeti ynë blu

Jo më kot planeti ynë quhet planeti blu: Sepse oqeani mbulon gati 71% të sipërfaqes së Tokës dhe 90% të biosferës. Ai është pjesë integrale e jetës duke siguruar diku midis 50 deri 80% të oksigjenit të planetit, që e bën atë një pjesë vitale të ciklit të karbonit. Origjina e oqeanit është ende e panjohur, por mendohet se është formuar 4.4 miliardë vjet më parë, duke siguruar një katalizator për format e hershme të jetës.

UN-Klimakonferenz 2019 | Cop25 in Madrid, Spanien | Protestmarsch (Reuters/J. Medina)

Protesta për klimën gjatë konferencës botërore në Madrid

Efektet e mungesës së oksigjenit në oqeane kanë filluar të ndryshojnë ekuilibrin e jetës nënujore, duke favorizuar specie tolerante me oksigjen të ulët (p.sh. mikrobet, kandilat e detit dhe disa kallamarë) e kjo bie në kurriz të atyre gjallesave që janë të ndjeshme ndaj mungesës së oksigjenit si shumë specie detare, duke përfshirë edhe shumicën e llojeve të peshkut.

Peshku ton, shpatë dhe peshkaqenët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndryshimeve këtyre ndryshimeve. Lloje të tilla po orientohen tani drejt shtresave gjithnjë e më të cekëta të ujit, që janë të pasura me oksigjen, e kjo po  i bën ato më të ekspozuara ndaj mbipeshkimit.

Raporti parashikon që oqeani do të humbasë 3-4% e rezervatit të tij global të oksigjenit deri në shekullin e ardhshëm. Shumica e humbjeve parashikohet të jenë në 1000 metrat e sipërm të kolonës së ujit, e cila është pjesa më e pasur e biodiversitetit detar.

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për