Ndihmëssekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Reeker viziton Shqipërinë



Ndihmëssekretari i Shtetit në detyrë për Europën dhe Euroazinë, Philip T. Reeker, do të vizitojë Shqipërinë më 30 qershor.
Sipas “Zërit të Amerikës”, Reeker do të takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar mbi marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe fusha të tjera të interesit të ndërsjelltë.
Ndihmëssekretari i Shtetit do të shkojë edhe në Itali dhe Maqedoninë e Veriut.
“Më 1 korrik, Reeker do të mbërrijë në Ohër, për të marrë pjesë në Konferencën “Rruga drejt Prespës”, ku do të theksojë mbështetjen amerikane për dialogun e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin drejt stabilitetit dhe progresit në mbarë rajonin”, shkruan “Zëri i Amerikës”.
Në Ohër, Reeker do të takohet me kryeministrin maqedonas Zaev, ministrin e Jashtëm Osmani dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar rreth prioriteteve të përbashkëta për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë periudhës 22-29 qershor, Ndihmëssekretari i Shtetit në detyrë do të shoqërojë Sekretarin Blinken në udhëtimin drejt Berlinit, Parisit, Romës, Vatikanit, Barit dhe Materas.
