×
Sunday, September 26, 2021

Narrativa e Berishës është frymëzim edhe për ata që e duan, edhe për ata që nuk e duan në PD

August 31, 2021

Nga Ilir Yzeiri

Berisha ka zënë kryet e lajmeve për informacionet që vijnë nga PD-ja dhe opozita për shumë arsye. Ndryshe nga ata që e kishin shpallur atë një « kalë të ngordhur politik » dhe një argument të paqenë, sepse, sipas tyre, ai nuk kishte më pushtet dhe se problemi më i madh nuk ishte ai por Edi Rama, përkundër kësaj Berisha u shfaq si një problem i rëndë për demokracinë shqiptare, sepse SHBA-të e shpallën atë person të padëshirueshëm dhe i ndaluan atij dhe familjes së tij hyrjen në SHBA, duke treguar me këtë rast se ai dhe familjarët e tij ishin përfshirë në korrupsion thelbësor, se ai kishte favorizuar aleatët e tij në përfshirje në afera korruptive, kishte bërë presion mbi drejtësinë dhe kishte minuar demokracinë.

Ky qëndrim i SHBA-ve ndaj Berishës solli një reagim të ndryshëm në opinionin publik. Ata që kishin dhe kanë target Ramën thanë se SHBA-të duhet të vlerësojnë me të njëjtën monedhë edhe Ramën. Brenda PD-së, me zë të mekur, grupi për reformimin e PD-së vuri me shpatulla për muri Bashën dhe, indirekt, duke e akuzuar atë, linin të nënkuptonin se edhe Berisha kishte faj pse ai mbështeste Lulëzim Bashën. Ndërkaq, në opinion u krijua një përshtypje e vagullt dhe asnjëherë, askush nuk e mori dhe nuk e merr vesh as sot, se çfarë qëndrimi kanë në PD grupet që janë për reformimin e PD-së ndaj Sali Berishës. Të krijohet përshtypja se Berisha ngjan me atë plakun malësor që kishte djalin student në Tiranë dhe kur zbriste ndonjëherë për të parë djalin te konviktet apo të fakulteti, djali i shkretë skuqej deri te veshët pse kolegët e tij e shihnin me plakun fshatar, veshur me brekushe e me qylaf në kokë.

Kështu po ndodh edhe sot, sepse të gjithë duan që Berisha të mos ju shfaqet në PD, të mos hyjë në sallën ku mblidhet Kuvendi i PD-së, sepse ai i turpëron nga që në opinion ai është si ai fshatari i dikurshëm me brekushe. Të vetmit trima dhe guximtarë që nuk ua bën syrri tërr janë Dasho Alikoja dhe gaztori i pluralizmit shqiptar Tritan Shehu. Mirëpo vetëm kaq, sepse kur vjen puna për të marrë fjalën në publik, të gjithë, nga Lulëzim Basha e deri te kritiku më i rreptë i Bashës në PD, pa përjashtim të gjithë recitojnë tekstin e Berishës. Po çfarë përmban ky tekst dhe kjo narrativë e Berishës.

E para, Berisha, qysh kur është larguar nga pushteti e deri më sot ka ndërtuar narrativën më të pështirë, më agresive dhe të mbushur me shpifje monstruoze dhe konsipracioniste për qeverinë apo për Ramën për të arritur në përfundimin se qeveria e Ramës është qeveria më e keqe që shqiptarët kanë pasur në këta tridhjetë vjet, madje më e keqe edhe se e Enver Hoxhës. Këtë artikulim të narrativës së Berishës, të ndërtuar prej tij me shpifje dhe me insinuata nga më të pabesueshmet e përsërisin të gjithë, si ata që e kanë target të urrejtjes patologjike Edi Ramën, ashtu edhe të tjerët në PD, si Lulëzim Basha apo edhe ata që e shajnë Lulëzim Bashën në PD dhe kërkojnë që ajo të reformohet.

E dyta, narrativa e Berishës është e mbushur me insinuata dhe me vlerësime negative për ambasadorët amerikanë dhe ata të Bashkimit Europian. Jo vetëm tani që ai është shpallur « non grata », por edhe më parë, Berisha ishte dhe është kundërshtari « par exellence » i ambasadorëve amerikanë dhe atyre të Bashkimit Europian. Kujtoni çfarë ka shpifur për Vllahutin dhe tani për Sorecën. Të njëjtën gjë bëjnë si në kor edhe ata që e kanë si target të urrejtjes Edi Ramën, sepse edhe ata shumëfishojnë këtë pjesë të narrativës së Berishës duke rrahur t’i mbushin mendjen publikut se Perëndimi dhe përfaqësuesit e tij në Shqipëri janë të korruptuar nga Rama.

E treta, është narrativa nacional-romantike që ka në themel Kosovën dhe Ballkanin. Berisha është ai që u përgatiti tezat të gjithëve, duke treguar gënjeshtra të ëmbla për ndarjen e Kosovës, për pushtimin e Ballkanit nga serbët dhe për shitjen e Ramës të serbët dhe grekët. Sot të gjithë ata që kanë si target të urrejtjes së tyre Edi Ramën përsëritin po këtë narrativë të Berishës, ndërsa Basha, PD-ja dhe ata që duan të reformojnë PD-në nuk kanë lëvizur asnjë presje nga kjo narrativë e Berishës.

Mund të numërohen edhe anë të tjera të narrativës së Berishës e cila me cilësinë e helmit dhe të shpifjes i josh deri në ekstazë ata që kanë si target të urrejtjes së tyre Edi Ramën dhe shërben si ushqim për menunë e varfër opozitare që nuk di dhe nuk do të ndërtojë një narrativë tjetër, të ndryshme nga ajo e Berishës.

Në përfundim, më duhet të them që ndarja e PD-së me Berishën, nëse do të ndodhë një ditë, nuk mund të bëhet pa u shkëputur nga narrativa e tij. Ai mund të jetë gjithë ditën e gjithë natën në PD dhe të betohet se është historia e saj. Po, por është dhe duhet të jetë një histori e mbyllur, si të gjitha, pavarësisht se ai e mbylli me turp historinë e tij. Tani PD-ja duhet të krijojë një narrativë tjetër më moderne dhe më afër publikut dhe jo të vazhdojë të hedhë kocka shpifjesh që nxisin urrejtje për gjysmën e popullit që mendon ndryshe nga ata dhe që ushqejnë fanatikët e PD-së. Të marrim vetëm një : përsëritjen pa fund se kjo qeveri e Edi Ramës qënka më e keqja e të gjithë kohëve. Mund të jetë kështu për kokat e nxehta të PD-së që nuk e pranojnë Ramën dhe socialistët, por nuk është kështu për më shumë se gjysmën e shqiptarëve.

Kjo narrativë që e ndan vendin në dysh ku njëra palë paraqitet si ëngjëll dhe tjetra si djall është reminishencë e kohëve kur bota ishte e ndarë në dysh në komunistë e kapitalistë. Vetëm gjatë asaj periudhe narrativa e kampit socialist ishte e mbushur me luftë, më shkatërrimin e kundërshtarit dhe me paraqitjen e tij si të keqen më të madhe të njerëzimit. Nëse PD-ja nuk ndërton narrativën normale që e sheh këtë vend në radhë të parë si vendin ku jetojmë të gjithë bashkë dhe qeverisjen si një mundësi alternimi të pushtetit dhe nëse nuk heq dorë nga shpifja, nga retorika e prokurorit komunist dhe nga narrativa e Berishës e njeriut që minoi demokracinë shqiptare, PD-ja dhe opozita nuk mund të frymëzojnë askënd. Derisa të vijë dita që opozita të pranojë qeverisjen e shqiptarëve dhe të deklarojë se ata po bëjnë një gjë, ne do të bëjmë një gjë tjetër dhe më mirë se ata, opozita nuk do të jetë kurrë e besueshme.

Eunews.al

Comments are closed.