×
Wednesday, December 8, 2021

Nano: RENEA histori suksesi, përballje me operacione të vështira

November 12, 2021

Me rastin e 30-vjetorit të krijimit të Repartit të Neutralizimit të Elementit të Armatosur (RENEA), drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano deklaroi se RENEA gjatë këtyre viteve ka qenë një histori suksesi.

Në fjalën e tij, Gledis Nano tha se reparti RENEA ka forcat elitë për goditjen e grupeve kriminale, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, struktura më e vlerësuar nga qytetarët, agjencitë ligjzbatuese në vend dhe me besueshmëri të lartë nga partnerët ndërkombëtarë.

“Është privilegj që në përvjetorin e krijimit të përshëndes si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por njëkohësisht është një obligim më tepër për ta mbështetur edhe më shumë këtë repart special. Vetë emri Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur e tregon qartë shkallën e lartë të rrezikut.

Ky repart elitë i Policisë së Shtetit është krijuar më 12 nëntor të vitit 1991, në varësi të Ministrisë së Brendshme e më pas si varësi e Policisë së Shtetit. Aktiviteti i repartit special RENEA gjatë këtyre viteve ka qenë një histori suksesi, pasi operacionet e zhvilluara nga ky repart kanë pasur në fokus neutralizimin e bandave kriminale e grupeve terroriste, situata pengmarrjesh, rastet e fatkeqësive natyrore, operacione këto që kanë evidentuar përkushtimin në nivelin më të lartë të profesionalizmit e sakrificës, ndaj për të gjitha këto ndihemi akoma më shumë krenarë për RENEA-n”, tha ai.

Në vijim, Nano shtoi se në këto operacione të vështira, veç sukseseve kemi pasur fatkeqësisht edhe humbje të jetës së punonjësve të policisë. Nga ky repart kanë humbur jetën në një moshë tepër  të re 5 punonjës, të cilët janë shpallur Dëshmorë të Atdheut, si dhe janë plagosur 18 të tjerë.

“Është rasti të kujtojmë me krenari në këtë ditë, aktin heroik të punonjësve të këtij reparti, të cilët me guxim e shkallë të lartë përgjegjësie, janë përballur me keqbërësit deri në sakrificën sublime të humbjes së jetës, si: Luan Haxhia, Lulëzim Sulollari, Arben Ujka, Elham Elezi dhe Ibrahim Basha, të cilët janë memorizuar përjetësisht duke u gdhendur me germa të arta në altarin e kombit. Misioni i këtij reparti ka qenë dhe mbetet shërbim maksimal dhe me vetëmohim për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve në çdo rrethanë.

Ajo që me të drejtë e bën edhe më krenar efektivin e këtij reparti është se me operacionet e kërkim-shpëtimit të realizuara prej tyre, janë shpëtuar dhjetëra e qindra jetë njerëzore në raste fatkeqësish natyrore, si tërmete, zjarre, përmbytje e aksidente të ndryshme. Prej vitit 1991 e deri më sot RENEA është transformuar në filozofi, burime njerëzore, logjistikë, armatim modern dhe pajisje speciale bashkëkohore.

E gjithë historia dhe misioni i Repartit Special RENEA ka vetëm një mesazh të sinqertë, human dhe ligjor adresuar qytetarëve: Ne jemi në shërbimin tuaj në çdo kohë, duke mbrojtur jetën me jetë. Duke besuar fort në profesionalizmin dhe përkushtimin e çdo punonjësi policie, në veçanti të repartit RENEA, më lejoni që në emër të tyre, të shpreh edhe një herë falënderimet për mbështetjen e pakursyer të dhënë nga Qeveria, Ministri i Brendshëm dhe partnerët ndërkombëtarë.

Njëkohësisht dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit, e cila po bëhet më e modernizuar në infrastrukturë, mjete e pajisje, me vajza e djem të shkolluar në Akademinë e Sigurisë, është plotësisht e motivuar dhe e angazhuar për të përballuar me sukses misionin e saj të vështirë dhe fisnik, në krijimin e një ambienti sa më të sigurt në vend”, tha Nano.

Eunews.al

Comments are closed.