×
Wednesday, January 19, 2022

Moti i keq, Peleshi: Të gjitha strukturat në gatishmëri

December 5, 2021

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nga Korça në një prononcim për medien mbi situatën e reshjeve gjatë orëve dhe ditëve në vazhdim tha se “të gjitha strukturat janë në gatishmëri për të reaguar në kohë dhe për të mbajtur nën kontroll situatën nga përmbytjet”.

“Dy, tre ditët e ardhshme presim intensitet mesatar në pjesën veriore dhe jugperëndimore të vendit. Në veri është kaskada e Drinit e cila kur reshjet vazhdojnë gjatë edhe kur ujërat arrijnë vlerën maksimale të liqeneve ato kërcënojnë dhe rrezikojnë përmbytje të mëdha. Në jugperëndim kemi lumin e Vjosës, është një lumë i egër në raste të reshjeve të mëdha rrezikon të dalë nga shtrati”, u shpreh Peleshi gjatë mbrëmjes së sotme.

Ministri bëri të ditur se, sot kemi nivele me rezervë në kaskadën e Drinit, në liqenin e Fierzës është pothuajse 25 metra nën nivelin e pikut, ka rezerva për disa ditë reshje.

Ai tha se, pritet të kemi reshje edhe në pjesën jugperëndimore në lumin e Vjosës. Por e rëndësishme është që të gjitha strukturat janë në drejtim të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë të gatshme edhe në nivel vendor krahas forcave të mbrojtjes që janë në gatishmëri të plotë.

“Nuk presim në këtë furi reshjesh përmbytje të mëdha, në zonën veriore kemi zona problematike siç është zona e Obotit e cila me apo pa shkarkim liqenesh është zona e parë që rrezikon përmbytjen vetëm për shkak të reshjeve e jo për shkak të shkarkimeve. Ndërkohë që priten edhe reshje bore por ARRSH është në gatishmëri dhe nuk kemi probleme në asnjë aks rrugor në kuptimin e gatishmërisë”, tha Peleshi.

Ministri tha se “Agjencia e Mbrojtjes Civile koordinon të gjitha strukturat përkatëse në institucione për të menaxhuar sa më mirë çdo situatë dhe minimizuar pasojat e dukurive natyrore”.

Eunews.al

Comments are closed.