×
Monday, July 15, 2024

“Mjaft u talle me ne”/ Demokrati sulmon Bashën: E do partinë për të nxjerrët kursimet e Londrës!

May 12, 2021


Ish-nënkryetari i Forumit Rinor në PD, Lisandër Hoxha komentoi takimin e kreut të PD, Lulzim Basha në Durrës. Në rrjetet sociale, ai deklaroi se ky ishte një takim qesharak sepse qeveria nuk do të rrëzohet nga fushata me akuza për vjedhje votash.

Sipas Hoxhës, që është edhe një prej demokratëve që kërkon dorëheqjen e Bashës, ky i fundit po e mban partinë peng për interesat personale. Thirrja e tij është që të hapet rruga për ringritjen e PD.

“Lulzim Basha fillon sot fushatën qesharake të tij, si i vetmi kandidat në zgjedhjet e ardhshme për kryetar të PD. Kjo humbje turpëruese e zgjedhjeve do të justifikohet me akuza dhe premtime boshe sa për të fituar pak kohë. Në shtator, i gjithë grupi parlamentar prej 59 titanësh të demokracisë, do të ulet në Parlament dhe për plot 1.444 dite do bëjnë jetë normale politike. Në shtator do e kuptoni se kjo ishte loja dhe se vula e partisë u duhet humbësve sa për të nxjerrë bukën e gojës dhe ca kursime në Londër, Dublin, apo edhe një vend tjetër që nuk thuhet. Demokratët do jenë përsëri të papunë, të varfër, të vjedhur dhe të shtypur.

Kjo stabilokraci, në marrëveshje me Edi Ramën, po i rrjep shqiptarët çdo ditë përmes tenderave me oligarkët. Mos harroni se deri në 2025 do dëgjoni të njëjtin premtim nga PD, por me siguri që, nëse ajo nuk hapet dhe nuk reformohet, do të skadojë bashkë me ëndrrën mbi të cilën u ngrit. Humbësi duhet të dorëhiqet dhe t’i hapë rrugën e ringritjes së PD-së. Kjo forcë politike ka me qindra të reja dhe të rinj që mund të fillojnë një pakt të ri moral me shqiptarët. Pengmarrja e Partisë Demokratike do të jetë edhe fundi i saj. Reflektoni, vëllezër dhe motra! Mos i lejoni të tallen me ne!”

Eunews.al



Comments are closed.