×
Sunday, September 26, 2021

Mitsotakis: Situata e zjarreve jashtëzakonisht kritike

August 5, 2021

Ne po përballemi me një situatë jashtëzakonisht kritike në vendin tonë, ashtu siç është rasti, për fat të keq, në shumë vende të tjera, tha në një deklaratë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, duke iu drejtuar qytetarëve për zjarret.

“Pas 10 ditësh nxehtësie, po përpiqemi të menaxhojmë dhjetëra zjarre në pyje, në të njëjtën kohë. Tre prej tyre, në Atikë, Evia dhe Ilia, janë me madhësi dhe intensitet të madh”, tha Mitsotakis.

“Përparësia jonë është gjithmonë të mbrojmë jetën e njerëzve. Mbrojtja e pronës, mjedisit natyror dhe infrastrukturës kritike vjen më pas. Fatkeqësisht, në këto rrethana, arritja e të gjitha këtyre qëllimeve në të njëjtën kohë është thjesht e pamundur”, shtoi ai.

Kryeministri vuri në dukje se “mekanizmi shtetëror dhe veçanërisht gratë dhe burrat e Brigadës së Zjarrit, kanë bërë përpjekje mbinjerëzore”.

Ai theksoi se “fatkeqësisht, vështirësitë janë ende para nesh dhe nata e ardhshme është kërcënuese. Nesër presim erëra të forta perëndimore në shumë zona të vendit tonë. Po flasim për kushte të pashembullta, të paraprira nga shumë ditë me nxehtësi të madhe, që e kanë kthyer të gjithë vendin në një fuçi pluhuri”.

Mitsotakis vuri në dukje se, së bashku me Mbrojtjen Civile, qeveria ka hartuar një plan emergjence, duke vendosur gjashtë rajone, përfshirë Atikën, në gjendje alarmi të kuq.

Eunews.al

Comments are closed.