×
E mërkurë, 20 Janar, 2021

Mirëmbajtja e rrugëve gjatë dimrit, Balluku dhe Gjici në terren: Të gjitha kapacitetet në gatishmëri për të përballuar situatën

9 Dhjetor, 2020

Sezoni i dimrit, bashkë me temperaturat e ulëta, sjell reshje dëbore dhe ngrica, kjo veçanërisht në zonat malore, çka krijon probleme në qarkullimin e mjeteve. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur tashmë zbatimin e planit të masave për mirëmbajtjen dimërore të akseve rrugore, për të garantuar një qarkullim pa probleme dhe të sigurt të automjeteve në të gjitha segmentet rrugore në vend gjatë stinës së dimrit.

Plani i masave përfshin angazhimin e afro 500 mjeteve, borëpastruese dhe mjetet të tjera të rënda, ndërsa janë rezervuar afro 5 mijë tonë kripë që do të hidhen në rrugë, për të eliminuar ngricat si dhe afro 1200 punonjës, të cilët janë në gatishmëri në të gjithë vendin. Që prej datës 15 nëntor janë ngritur shtabet e emergjencës në drejtoritë rajonale dhe atë qendrore ku raportohet gjatë 24 orëve lidhur me problematikat dhe situatën në akset rrugore.

Për të ndjekur nga afër masat që janë marrë lidhur me mirëmbajtjen dimërore të akseve rrugore, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në Kukës, e shoqëruar edhe nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe kryebashkiaku i Kuksit, Safet Gjici.

“Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka në fokus kryesor pjesën e mirëmbajtjes së akseve rrugore, ku mirëmbajtja është ndarë në dy pjesë. 1300 kilometra praktikisht është në kontratën e mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore, ku ka katër kontrata që mbulojnë veriun, qendrën dhe jugun dhe pjesa tjetër e akseve rrugore, që janë 2400 kilometra, mirëmbahet nga drejtoritë rajonale në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar”, bëri të ditur Verdho.

Kryetari i bashkisë së Kukësit Gjici, në territorin e së cilës, gjatë sezonit të dimrit ka pasur jo pak rastet ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja për të pastruar rrugët si pasojë e reshjeve të borës, vlerësoi masat e marra në mënyrë të shkëlqyer, për të kaluar dimrin. Sipas Gjicit, pavarësisht se deri tani nuk ka pasur probleme, moti i ftohtë dhe reshjet kanë kohën e tyre ndaj masat duhet të jenë të plota.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi rëndësinë për të garantuar lëvizjen e lirë dhe mbi të gjitha të sigurt të automjeteve në të gjitha akset rrugore të vendit, pavarësisht kushteve të motit. Në këtë pikë, tha Balluku, pushteti vendor duhet të bashkëpunojë ngushtë me Autoritetin Rrugor Shqiptar për të qenë të koordinuar, për të ndërhyrë menjëherë në rastet kur do të jetë e nevojshme.

“Është shumë e rëndësishme dhe duhet theksuar që bashkëpunimi i Bashkisë me Autoritetin Rrugor Shqiptar është një pjesë shumë e rëndësishme, sidomos në zonat të cilat e kanë edhe problematikën e motit të përkeqësuar, siç është zona e Kukësit, Ersekës apo Korçës. Sigurisht ne bëjmë punën, i kemi të gjitha fuqitë edhe mundësitë për ta përballuar, por bashkëpunimi me Bashkinë është shumë i rëndësishëm, pasi ARRSH-ja shpeshherë mund t’ju vijë dhe ju në ndihmë për gjithçka që keni nevojë”, tha Balluku.

Referuar bashkisë së Kukësit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi se tashmë kjo zonë ka të gjithë vëmendjen e qeverisë dhe investimet të cilat janë duke u realizuar në territorin e saj e tregojnë më së miri këtë.

“Qeveria shqiptare ka një fokus të veçantë në Kukës. Ne po shkojmë drejt përfundimit të aeroportit të Kukësit, që dukej deri para pak kohësh si një utopi, por ja që është e vërtetë dhe do dorëzohet brenda pranverës së vitit 2021. Sapo kemi mbaruar procedurën e ndërtimit të rrugës, e cila do të lidh qytetin me aeroportin e Kukësit pasi nuk e kemi pasur këtë rrugë dhe duke qenë se aeroporti po ecën me ritme të shpejta do duhet që kjo rrugë t’i përgjigjet sa më shpejt për të pasur një akses duke mos kaluar më brenda qytetit”, u shpreh Balluku duke përmendur edhe investimet që po bëhen në spitalin e qytetin dhe ndërtimin e stadiumit të ri.

Sa i takon shqetësimit të ngritur nga kryebashkiaku Gjici lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Kukësit, ministrja Balluku bëri të ditur se ndërtimi i ujësjellësit të ri është një nga prioritetet e AKUM dhe shumë shpejt edhe ky shqetësim do të marrë rrugën e zgjidhjes.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për