×
Monday, July 15, 2024

Miratohet “Traktati i ekstradimeve Shqipëri-SHBA”

May 17, 2021


Sot Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi “Traktatin e Ekstradimeve Shqipëri-SHBA”, të miratuar nga Këshilli i Ministrave.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale thekson se, “nëpërmjet këtij traktati krijohet kuadri i ri rregullator ligjor për aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve të shteteve nënshkruese të marrëveshjes”.

“Pas miratimit në Kuvend të këtij traktati, do të garantohet bashkëpunimi sa më i efektshëm ndërmjet palëve për luftën kundër krimit”, nënvizon ajo.

Në cilësinë e komisionit përgjegjës, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot projektligjin “Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

I ftuar në mbledhjen e komisionit për prezantimin e projekt-aktit ishte Klajd Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë, i cili u ndal në mënyrë të veçantë tek objektivat kryesorë të ratifikimit të traktatit të ekstradimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Objektivat kryesore të marrëveshjes në fjalë lidhen me krijimin e një kuadri të ri rregullativ, në lidhje me aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve të shteteve nënshkruese të marrëveshjes;lehtësimin e funksionimit të procesit të ekstradimit ndërmjet palëve, lidhur me ekstradimin e shtetasve të tyre përkatëse;  garantimin e bashkëpunimit sa më të efektshëm ndërmjet palëve për luftën ndaj krimit;  si dhe eliminimin e pengesave ligjore ndaj ekstradimit të shtetasve të shtetit të kërkuar, për ndjekje penale, ose për kryerjen e dënimit në shtetin kërkues, duke marrë masat e nevojshme për kryerjen e këtij ekstradimi”, u shpreh zëvendësministri Karameta.

Deputetja Klotilda Bushka në cilësinë e relatores vlerësoi se nisma është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe duke theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, ftoi kolegët e komisionit ta miratojnë atë. Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare të radhës.

Eunews.al



Comments are closed.