Ministrja sllovene e Drejtësisë dorëhiqet pas mosmarrëveshjeve me kryeministrin


Ministrja sllovene e Drejtësisë, Lilijana Kozloviç dha dorëheqjen pas mosmarrëveshjeve me kryeministrin Janez Jansa lidhur me emërimin e dy prokurorëve në një agjenci europiane.
Kozloviç tha se ajo dha dorëheqjen sepse ”Jansa kishte anuluar emërimin e dy prokurorëve sllovenë të cilët do të punonin për agjencinë e re të Prokurorisë së Përgjithshme Europiane”.
Kozloviç kishte konfirmuar emërimin e dy zyrtarëve, të cilët ishin emëruar nga një këshill i pavarur.
Jansa tha se ai anuloi emërimet pasi këta prokurorë kishin bërë vazhdimisht akuza të rreme kundër politikanëve të partisë së tij.
Kritikët thonë se Jansa është përpjekur të kufizojë lirinë e medias dhe ka pak respekt për vlerat demokratike dhe standardet e shtetit të së drejtës.
Sipas analistëve, ai ka sulmuar gazetarët në Twitter dhe ka shënjestruar mediet e pavarura.
Zyra e re e Prokurorisë së Përgjithshme të Bashkimit Europian do të fillojë punën më 1 qershor për të hetuar krimet në lidhje me buxhetin e BE, përfshirë korrupsionin, përvetësimin dhe mashtrimin.
Eunews.al
