Ministri i Jashtëm i Austrisë, Schallenberg pozitiv me COVID-19



Ministri austriak i Punëve të Jashtme, Alexander Schallenberg u testua pozitiv me COVID-19 dhe u vendos në izolim, njoftoi sot ministria.
“Deri tani nuk ka shfaqur asnjë simptomë”, theksoi një zëdhënëse, e cituar nga agjencia e lajmeve APA.
Sipas të njëjtit burim, është e mundur që ai të jetë prekur nga sëmundja COVID-19 gjatë Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian, në të cilin mori pjesë edhe kreu i diplomacisë franceze, Jean-Yves Le Drian.
Schallenberg anuloi vizitat e parashikuara në ditët e ardhshme në Britaninë e Madhe, në Danimarkë, në Greqi dhe në Qipro.
Disa personalitete politike janë kontaminuar me koronavirusin e ri, mes të cilëve presidenti amerikan, Donald Trump në fillim të tetorit, presidenti brazilian, Jair Bolsonaro në korrik si dhe kryeministri britanik, Boris Johnson në pranverë.
Austria, vend me 8,8 milionë banorë, është prekur, ashtu si pjesa tjetër e Europës, nga një rishfaqje e epidemisë dhe ka regjistruar sot një rekord ditor em më shumë se 2 300 raste, sipas shifrave zyrtare.
Në total, 882 persona kanë humbur jetën që prej shfaqjes së virusit.
Eunews.al
