×
Wednesday, December 8, 2021

Meta shuplakë Bashës e Kryemadhit: Djegia e mandateve antikushtetuese

November 23, 2021

Presidenti Ilir Meta deklaroi se se do t’i drejtohet gjykatave europiane në rast se Gjykata Kushtetuese merr vendim për shkarkimin e Presidentit.

Në një intervistë televizive duke folur në lidhje me mundësinë e shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese, Meta paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Europiane.

“Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të zbardhur unë nuk e kam dhe nuk e ka askush. Kur të dalë vendimi atëherë unë do shpreh qëndrimin tim. Por mund t’ju them që mbi Gjykatën Kushtetuese ka Gjykata të tjera europiane. Të shenjtërohet Kushtetuta në Republikën e Shqipërisë, mos të ndodhin më ndryshime si ato të vitit 2008. Nëse ne si politikanë jemi demokratë, që besojmë në ligje dhe në demokraci, në shtet të së drejtës dhe në liritë dhe të drejtat e njeriut, atëherë populli e zgjidh me referendum nëse do apo jo të ndryshojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, theksoi presidenti Meta

Në lidhje me akuzat e Bashës se Meta-Berisha janë e shkuara, Meta sqaroi pozicionin e tij në lidhje me shtyrjen e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2019.

“Për zgjedhjet vendore, Basha më është lutur të shtyhen zgjedhjet. Më erdhi shumë keq për gjendjen ku ndodhej. Erdhi në Gjermani, ku unë ndodhesha për vizitë zyrtare, sepse gjermanët e thirrën dhe i tërhoqën veshin: “Nuk duam asnjë shashkë!”, “Nuk duam më dhunë në mitingje!”. Pse? Sepse gjermanët kishin vullnetin të na ndihmonin për hapjen e negociatave me BE. Gjykova që për hir të së ardhmes europiane të vendit, për të shmangur gjakderdhjen dhe përplasjen mes shqiptare, të shtyja zgjedhjet vendore. Datën 13 tetor 2019, si date të re e caktoi Basha. Unë, vendosa t’i jap një rrugëdalje opozitës që kishte hyrë në qorrsokak, duke evituar përplasjen e njerëzve në rrugë, qëllimi im ishte të bëheshin zgjedhje. Datën 13 tetor e ka zgjedhur Basha vetë, dhe përfaqësuesit e opozitës. Kujt i shërbeu Basha duke mos e regjistruar PD në zgjedhje? Bojkoti i Bashës edhe më 13 tetor që e kishte kërkuar vetë ishte në sinkron me bojkotin e 4 anëtarëve të PS në KQZ që organizuan zgjedhje antikushtetuese të 30 qershorit”, tha Meta.

Meta u shpreh se djegia e mandateve ishte vendimi më i çmendur, më antikushtetues dhe më antishqiptar.

“Dëgjuan vetëm dy diplomat dhe bënë aktin e paligjshëm të dorëzimit të mandateve. Ilir Meta ka qenë kundër djegies së mandateve. Dhe për herë të parë po them që LSI ka qenë ajo që e ka penalizuar dhe dënuar Ilir Metën, duke e mbështetur këtë vendim të Lulzim Bashës”, tha Meta.

“Në mënyrë antikushtetuese opozita dorëzoi mandatet dhe qeveria bashkë me disa diplomatë, vajtën në KQZ dhe zëvendësuan listat e deputetëve në kohë rekord. E kam shpëtuar PD nga ndarja në dy parti gjatë miratimit të Reformës në Drejtësi. Në 2005, e kam sjellë PD në pushtet. Në 2009, kam garantuar PD në pushtet. Kam një lidhje me PD sepse jam një nga 30 studentët e parë të Lëvizjes së Dhjetorit, por nuk kam unë detyrimin ta sjell PD në pushtet, nëse PD nuk do”, tha ai.

Eunews.al

Comments are closed.