×
Thursday, April 25, 2024

Meta nis procedurat për zgjedhjet e pjesshme vendore: S’detyroj askënd të hyj me pahir

January 14, 2022


Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh sot se, i ka kërkuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve informacion mbi bashkitë e vendit ku kryetarëve u ka përfunduar para kohe mandati, në mënyrë që të përcaktojë datën për zgjedhjet e pjesshme vendore.

“Sot përmes një letre zyrtare të dërguar KSHZ, kam kërkuar informacion mbi faktin se kush janë saktësisht ato njësi të qeverisjes vendore, pra bashki në të cilat përgjatë kësaj periudhe 30 qershor 2019-janar 2022, sipas informacionit dhe vlerësimit, ku kryetarëve të bashkive u ka mbaruar mandati në mënyrë të parakohshme dhe cili është shkaku ligjor dhe akti përmes të cilit është realizuar përfundimi para kohe i mandatit dhe përplotësimin e të cilave është i domosdoshëm organizimi i zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor”, tha Meta.

Meta shtoi se, “mbetem në pritje të një përgjigje sa më të shpejtë nga KSHZ në mënyrë që si President i Republikës të vazhdojë të ecë përpara për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate në interes të të gjithë qytetarëve të bashkive pa kryetar”.

I pyetur nëse kreu i PD, Basha i kërkon sërish shtyrjen e zgjedhjeve duke parë situatën në PD, Meta tha se, “nuk dua të hyj në polemika të panevojshme. Jam mëse i bindur që kam bërë një akt patriotik, mbi të gjitha që kam anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe që kam shmangur një konfrontim të programuar, të qartë prej kohësh mes demokratëve opozitarëve dhe socialistëve. Duke dhënë mundësi, jo vetëm për zgjidhje gjithëpërfshirëse, që u minua nga të dyja palët, nga lidershipët përkatës, por edhe duke dhënë një mundësi për rrugëdalje për të mos u përplasur, sikurse ndodhi. Ju patë se çfarë ndodhi më 8 janar mes demokratëve, megjithëse s’kishte vetëm demokratë atje”.

Meta theksoi se, “nuk ka nevojë të ketë Presidenti konsultim me askënd për arsye se nuk kemi të bëjmë me zgjedhje të përgjithshme vendore dhe me një hapësirë që gjendet një konsensus se kur bëhen këto zgjedhje. Këto duhet të ishin bërë me kohë. Ju mund të thoni pse nuk i keni bërë më përpara? Nëse unë do të veproja më përpara unë do të legjitimoja, ose ky akt do të përdorej për të legjitimuar si Kushtetuese gjoja zgjedhjet e 30 qershorit, që ishin anti-kushtetuese, sepse dekretet e Presidentit nuk u sfiduan në asnjë gjykatë. Që nga misioni i OSBE/ODIHR, znj. Glover, që nga “Venecia”, më mbrapa e të gjithë. Dhe e vetmja gjykatë ku mund të sfidoheshin ishte Gjykata Kushtetuese, sepse konflikti ishte kushtetues nuk ishte administrativ”.

“Kështu që në këto kushte jam i detyruar thjesht të veproj në kushtet që parashikohet në rastet e tilla dhe pres reagimin nga Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pastaj kush ka dëshirë të regjistrohet, kush ka dëshirë të marrë pjesë, kush ka dëshirë të mos marrë pjesë”, u shpreh Meta.

Meta tha se, “unë përmbush detyrimin tim në këtë proces, të tjerët përmbushin detyrimet e tyre. Unë nuk detyroj askënd të hyj me pahir në zgjedhje”.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, Meta tha se Kushtetuesja nuk mori asnjë përgjegjësi, duke mos dhënë një përgjigje përfundimtare.

“Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit 2019, kur prisnim që Gjykata Kushtetuese përmes një vendimmarrje të themeltë, t’i rikthente popullit shqiptar mundësinë që të shprehte vullnetin e tij, përmes një procesi zgjedhor, të lirë, të ndershëm, konkurrues dhe të fshehtë, si dhe në përmbushje të gjithë standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare, për të zgjedhur përfaqësuesit e tij realë në pushtetin vendor, si për kryetarë bashkish edhe në këshillat bashkiakë. Përkundër kësaj pritshmërie të lartë dhe legjitime të popullit tonë, por edhe të shumë institucioneve ndërkombëtare, të cilët , e kishin kushtëzuar ecurinë e procesit të çeljes së negociatave dhe integrimit të Shqipërisë edhe me plotësimin e këtij kushti nga Shqipëria, do të duhej të kishte një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, ndërsa kjo gjykatë nuk mori asnjë përgjegjësi”.

Meta u shpreh se, “Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e shoqatës së bashkive të Shqipërisë, pasi sipas Gjykatës kërkimi i shoqatës së bashkive të Shqipërisë, nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, duke shpallur kështu veten, jo kompetente për shqyrtimin e këtyre rasteve. Duke deklaruar mungesën e juridiksionit kushtetues, faktikisht Gjykata e la këtë çështje pa një zgjidhje përfundimtare, duke mos i hyrë aspak shqyrtimit të themelit të pretendimeve mbi anti-kushtetutshmërinë e procesit të votimeve të zhvilluara më 30 qershor 2019. Me vendimmarrjen e saj Gjykata Kushtetuese nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë çështje përmes juridiksionit gjyqësor kushtetues, por ia la sërish çështjen juridiksionit politik”.



Comments are closed.