×
Friday, December 3, 2021

Mesdheu: Udhëkryqi i qytetërimeve botërore

November 20, 2021

Nga David Abulafia

Deti Mesdhe përbën vetëm 0.8 për qind të sipërfaqes detare të Tokës. E megjithatë ai ka luajtur gjithnjë një rol të rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Një nga arsyet e rëndësisë së tij, janë përmasat e vogla në krahasim me oqeanet.

Në Mesdhe shtrihet hapësira që bashkon tre kontinente, Evropën, Azinë dhe Afrikën, historia e të cilave bazohet tek një ndërveprim i madh politik, tregtar dhe kulturor. Ajo ishte barriqendra e pushtimeve, shkëmbimeve tregtare, e migrimeve masive dhe e marrëdhënieve kulturore për rreth 3 mijë vjet, që nga kohërat kur marinarët fenikas, etruskë dhe grekë lundronin mbi dallgët e tij, dhe që kur qytetet që lageshin prej tij Tiri, Korinti, Tarkuinia, Kartagjena dhe Roma, ishin qendra me rëndësi për popullsi të tëra.

Me hapjen e Atlantikut dhe rrugëve midis Evropës dhe Indisë në fundin e shekullit XV-të, rëndësia ekonomike e Mesdheut, u zvogëlua gradualisht, por nuk u zhduk për fare. Është i  çuditshëm fakti që hapja e Kanalit të Suezit gjatë shekullit XIX nuk e përmirësoi aq shumë rëndësinë strategjike të Mesdheut, edhe pse e bëri një kanal tranziti për dërgesat (veçanërisht nga Britania e Madhe) rrugës për në Indi apo edhe më gjerë.

Sundimi britanik mbi Gjibraltarin, Maltën dhe më vonë Qipron, si dhe roli i luajtur në Egjipt dhe Lindjen e Mesme, ishin të lidhura drejtpërsëdrejti me nevojat e perandorisë së tij në Azi, dhe jo në mënyrë specifike me çështjet e Mesdheut. Pasja e një perspektivë historike mbi rëndësinë e Mesdheut është thelbësore, pasi trashëgimia e shekujve të shkuar, është ende e dukshme brenda tij.

Harta e Mesdheut, pasqyron lëvizjet e popujve nëpër mijëvjeçarë. Prandaj për shembull Deri Adriatiku, ruan ende ndarjen midis zonave të vendosura nga popujt sllavë në brigjet e tij lindore, dhe atyre që flasin gjuhën italiane në ato perëndimore.

Por e gjitha kjo shkon edhe më tej, dhe manifestohet në larminë fetare të anës lindore, e reflektuar në ndarjet e hidhura në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë:katolikët në Kroaci, sllavët ortodoksë në Serbi dhe Malin e Zi, myslimanët në Bosnje.

Trashëgimi shumë komplekse mund të identifikohen edhe në Sardenjë dhe Korsikë, ishuj që u përfshinë në sferën italiane nga gjenovezët dhe pizanët. Edhe pse në fund Korsika u aneksua nga Franca, ajo ruan ende tipare të veçanta, si gjuha e saj shumë më e ngjashme me italishten sesa me frëngjishten.

Madje mund të thuhet se mënyra se si e përcaktojmë sot Evropën, është rezultat i historisë së gjatë të Mesdheut: përfshirja e Majorkës, Sardenjës, Siçilisë, Kretës dhe Qipros nën sundimin e fuqive evropiane, bëri që ato të shiheshin si një pjesë integrale e Evropës, dhe jo si një zgjatim i Afrikës dhe Azisë.

Një nga karakteristikat kryesore të Mesdheut, ka qenë ekzistenca e qyteteve të tij portuale; vendeve ku të paktën në shekujt e mëparshëm, popuj me prejardhje etnike dhe identitete të ndryshme fetare, jetonin krah për krah në një marrëdhënie pak a shumë miqësore.

Portet mesdhetare vepruan si një magnet, duke tërhequr drejt tyre jo vetëm popullsinë rurale përreth, por edhe një grup heterogjen njerëzish të shpërndarë në të gjithë rajonin:tregtarë, mercenarë, misionarë dhe lloj-lloj emigrantësh të tjerë, pa harruar tregtinë e skllevërve të epokës së korsarëve barbarë, dhe Urdhrin e Kalorësve të Shën Stefanit dhe Maltës.

Diçka nga ajo botë mbijetoi, derisa lëvizjet nacionaliste i panë këto qytete-port të rrënoheshin nga rivalitetet politike. Grekët dhe armenët u larguan nga Smirna në vitin 1922, hebrenjtë e Selanikut u shfarosën në vitin 1943, ndërsa dhe italianët, grekët, hebrenjtë dhe të tjerët u dëbuan nga Aleksandria në vitet 1950-1960.

Fundi i pushtimit kolonial, nënkuptoi largimin e që kolonëve evropianë nga Algjeri dhe Tunizia (jo vetëm francezët, por edhe spanjollët dhe italianët), ndërsa italianët u larguan nga Tripoli. Pavarësisht kësaj, gjurmë të dukshme të së kaluarës së tyre si koloni mbeten ende në këto qytete, në rrugët e zbukuruara me ndërtesa monumentale të modeluara sipas stilit të Parisit dhe Romës.

Përplasjet etnike vazhduan gjatë 70 viteve të fundit, ndërsa Izraeli u bë qendra e kolonizimit hebre pas tmerreve të Holokaustit, dhe kur një numër i madh arabësh palestinezë u shpërndanë në të gjithë Lindjen e Mesme. Vitet e fundit, shkatërrimi i Sirisë nga një luftë e egër civile, ka sjellë eksodin e shumicës së qytetarëve të saj të krishterë, për të mos përmendur numrin shumë më të madh të refugjatëve myslimanë.

Kuptimi i këtyre ndryshimeve, është thelbësor për mënyrën se si ne e interpretojmë Mesdheun sot. Problemet e pazgjidhura, nuk kanë të bëjnë vetëm me Izraelin dhe palestinezët, por edhe marrëdhëniet ekonomike në zonën e Mesdheut.

Dekolonizimi ka pasur efektin e mirëpritur ku të gjithë qytetarët e Afrikës së Veriut janë bërë zotër të fatit të tyre. Megjithatë, ndërhyrjet e jashtme nga Bashkimi Sovjetik, si dhe hezitimi për të ruajtur një marrëdhënie të ngushtë me ish-fuqitë koloniale, kanë penguar krijimin e lidhjeve të forta ekonomike në Mesdhe.

Kjo gjë ka ndodhur ndër të tjera në një kohë kur lëvizja për integrim evropian po e shtonte ritmin e saj, me Francën dhe Italinë në ballë të procesit, të ndjekura nga demokracitë e tjera mesdhetare që shihnin modelin verior të Brukselit, dhe atë që ishte bërë Bashkimi Evropian. Tanimë ishte shumë më e rëndësishme të ndiqej një strategji të përbashkët ekonomike në Evropë, në vend se vëmendja të fokusohej mbi marrëdhëniet trans-mesdhetare:besohej se krijimi i lidhjeve të forta me ekonominë e parë të Evropës, Gjermaninë, do të çonte në një stimul për rritjen ekonomike, aq sa marrëdhëniet me vendet shumë më të varfra në kufijtë jugorë të Mesdheut, nuk mund të konkurronin me të.

Nismat që synojnë nxitjen e një lloj bashkëpunimi në Mesdhe, nuk kanë çuar në rezultate të rëndësishme. Flitet shumë, por duhen veprime konkrete. Ashtu si detet e tjera, edhe Mesdheu ka qenë viktimë e shfrytëzimit të tepruar, dhe ka vuajtur shumë nga ndotja, e theksuar më së shumti nga zgjerimi i shpejtë i sektorit të turizmit.

Ndërtimi i objekteve kompakte të betonit në formën e hoteleve të mëdha përgjatë plazheve të Katalonjës, Adriatikut, Qipros dhe shumë zonave të tjera të Mesdheut, ka sjellë vërtet një shkallë mirëqenieje në këto vende, e cila nuk mund të ishte konceptuar para 100 vjetësh.

Por ka qenë vetë Mesdheu, ai që e pagoi koston. Problemi më i dukshëm në Mesdhe buron nga fluksi i emigrantëve:refugjatët që i ikin persekutimit dhe luftës – jo vetëm në Siri apo Libi, por edhe nga shumë më larg – të cilëve u shtohen grupe të ndryshme emigrantësh ekonomikë.

Rritja fenomenale e popullsisë në Afrikën Perëndimore për shkak të përmirësimit të sistemit të shëndetit publik dhe mungesës së mundësive për klasën e mesme në zhvillim, i kanë nxitur ata të emigrojnë në kushte të rrezikshme, fillimisht në shkretëtirën e Saharasë, dhe më pas nëpërmjet varkave të papërshtatshme në rrugën drejt Maltës, Lampeduzaës dhe Pantelerias, apo në barrierat e Ceutës dhe Melilës spanjolle.

Dhe ky është një fluks që nuk ka ndërmend të përfundojë së shpejti. Çështja është se si të menaxhohet në mënyrën e duhur në interes të sigurisë, drejtësisë dhe kapacitetit të vendeve pritëse për të përballuar fluksin. Ky problem, nuk ka të bëjë vetëm me vende të veçanta si Italia, Greqia dhe Spanja.

Ai kërkon një zgjidhje ndërkombëtare, pasi destinacioni i zgjedhur nga shumë emigrantë mesdhetarë nuk është një vend në Mesdhe, por Britania e Madhe, Gjermania dhe të tjera të tjera në veriun e Evropës. Është një problem global që kërkon njëfarë stabiliteti politik, investime dhe krijimin e vendeve të punës në vendet nga vijnë emigrantët.

Vetëm hapja e dyerve dhe lënia e të gjithëve brenda, nuk është një zgjidhje humanitare dhe as praktike. Ata që mbeten pas janë shpesh ata që kanë më shumë nevojë. Të gjitha këto konsiderata të çojnë në përfundimin, se për momentin Mesdheu nuk po funksionon siç duhet. Pandemia e Covid-19, vetëm sa përkeqësoi më tej një situatë, që ishte tashmë problematike. Prandaj tani është e nevojshme, që të rikonfirmohen përpjekjet ndërkombëtare për të rifilluar bashkëpunimin trans-mesdhetar, dhe më pas për t’i kthyer ato në realitet. / “Il Giornale” 

Eunews.al

Comments are closed.