Mesazhi i Berishës, nga “gjyqi” i sajuar kundër Ivi Kasos
Sali Berisha sajoi në televizionin e familjes së tij, madje brenda në shtëpinë e tij, një skenë të shëmtuar gjyqi ndaj një prej zyrtarëve më të rëndësishëm të partisë së tij, Ivi Kaso, të cilin e ka edhe drejtues politik në një qark të rëndësishëm.
Duke përdorur alibinë që Cim Peka thotë gjithmonë marrëzira, ai bëri sikur e mori të mirëqenë që Kaso ka mbrojtur versionin e SPAK në një debat publik, të cilin Peka e kishte dëgjuar rrugës për tek shtëpia e Berishës dhe ai nuk kishte mundësi ta verifikonte.
E vërteta është se Kaso është një jurist me përvojë dhe në përpjekje për të mbrojtur Berishën, ka referuar dhe faktin që arresti shtëpiak i Berishës ishte pasojë e moszbatimit të vendimit të parë të Gjykatës ndaj Berishës, por që Kaso ka sqaruar se sipas tyre është antikushtetuese. Por edhe po të mos e sqaronte, nuk prishej ndonjë punë se sqarimi procedurial shpjegon pse Berisha kaloi nga detyrimi i paraqitjes në arrest shtëpiak.
Sulmi nuk synonte thjesht Ivi Kason.
Dhe ndoshta në finale nuk e dëmton as atë, përveç këtij gjyqi publik.
Sulmi synonte të bënte shembull një zyrtar të lartë të PD që nuk përsërit marrëzirat e Berishës siç bën Peka apo gjithë enturazhi i tij mediatik.
Përsëritja e gënjeshtarëve tani për Berishën është e vetmja armë për të vazhduar të mbajë të bashkuar turmën e njerëzve kokë bosh pas vetes.
Çdo njeri që po përpiqet të arsyetojë, apo më keq, të mendojë me kokën e vet se çfarë ka ndodhur me arrestimin e Berishës është një armik i egër i tij, pasi logjika është kundër Berishës.
Të gjithë e kuptojnë që skema e arrestit shtëpiak ishte një gjë që ai e kërkoi vetë për të krijuar një fabulë të re politike si viktimë e drejtësisë mbi penxheret.
Thjesht ai nuk do të ishte i lirë në detyrim paraqitje.
Madje, nëse Gjykata Kushtetuese do të jetë gjykatë politike, nëse do që të “shkatërrojë” plotësisht Berishën, mund të heqë atij masën e arrestimit dhe ta lërë të lirë të dal nga penxherja në rrugë ku nuk e pret askush. Aty do të kuptojë se atij nuk i bën më punë, as Gjykata, as SPAK, as Ivi Kaso as Cim Peka. Atij i ka ikur populli.