Merz: Besueshmëria e BE-së rrezikohet nëse nuk vendoset për asetet e ngrira ruse
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha sot se besueshmëria e BE-së do të dëmtohej rëndë nëse nuk arrihet një marrëveshje mbi përdorimin e pasurive të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën.
“Sikur të mos arrijmë ta bëjmë këtë, aftësia vepruese e Bashkimit Evropian do të komprometohej rëndë për vite me radhë, madje edhe më gjatë”, tha ai gjatë një fjalimi në me rastin e vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Dhe do t’i tregonim botës se nuk jemi në gjendje të bashkohemi dhe veprojmë në një moment kaq të rëndësishëm të historisë tonë”, shtoi Merz.
Volodymyr Zelensky, i cili foli pak më parë, bëri thirrje që pasuritë e ngrira ruse “të përdoren plotësisht” për mbrojtjen e Ukrainës “kundër agresionit të Rusisë”, duke e cilësuar këtë vendim “të drejtë” dhe “të arsyeshëm”.
Në të njëjtën kohë, në Bruksel, shefja e diplomacisë së BE-së Kaja Kallas tha se negociatat midis 27 vendeve për këtë temë të ndjeshme po bëhen “të gjithnjë e më të vështira”.
Përdorimi i pasurive të ngrira ruse do të mundësonte financimin e një “kredie riparimi” prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, madje edhe më shumë nëse nevoja e kërkon, dhe do të kishte përparësinë e madhe që të mos kushtonte asgjë taksapaguesve evropianë.
Megjithatë, Banka Qendrore Evropiane, e cila në fillim të dhjetorit përjashtoi mundësinë e garantimit të një kredie për Ukrainën e mbështetur në pasuritë e ngrira ruse, ka frikë nga reagimet e tregjeve financiare dhe destabilizimi i euros.
Po ashtu, Belgjika, ku ndodhet institucioni financiar ”Euroclear” që kontrollon pjesën më të madhe të këtyre pasurive, si dhe vende të tjera si Italia, paralajmërojnë për hakmarrje ruse dhe pasojat e mundshme ligjore.
”Evropianët kanë premtuar të financojnë Ukrainën gjatë dy viteve të ardhshme, dhe ata nuk do të largohen nga salla e samitit evropian në Bruksel, që nis të enjten, derisa të merret një vendim”, siguroi Kallas, duke ripërsëritur një premtim të presidentit të Këshillit Evropian Antonio Costa.







