×
Thursday, December 7, 2023

Megaoperacioni ndërkombëtar/ Kim: Pandëshkueshmëria po merr fund

July 2, 2021


Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim u shpreh sot se SHBA do të vazhdojnë të mbështesin SPAK dhe BKH-në ndërsa hetojnë dhe procedojnë ata që abuzojnë me detyrën apo që pasurojnë veten padrejtësisht përmes aktivitetit kriminal.

Në një reagim që vjen pas megaoperacionit të SPAK në bashkëpunim me Antimafian italiane në 4 shtete, Shqipëri, Itali, Spanjë dhe Mal të Zi që zbuloi grupet kriminale dhe zyrtarë të lartë të drejtësisë të përfshirë në krim, Kim shprehet se “disa pretendojnë apo shpresojnë që reforma në drejtësi nuk ka prodhuar ‘asgjë’”.

Duke sjellë deklaratën e SPAK për megaoperacionin, Kim thekson se “e vërteta është që ka prodhuar dhe po prodhon më shumë e më shumë rezultate që tregojnë se pandëshkueshmëria po merr fund”.

“Shihni veprimin e sotëm madhor që është vetëm goditja më e fundit kundër zyrtarëve të korruptuarve dhe krimit të organizuar”, shton ajo.

“SHBA do të vazhdojnë të mbështesin SPAK dhe BKH-në ndërsa hetojnë dhe procedojnë ata që abuzojnë me detyrën apo që pasurojnë veten padrejtësisht përmes aktivitetit kriminal. Reforma në Drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo perfekte, por po lëviz përpara dhe po prodhon rezultate”, tha Kim.

Nga operacioni në 4 shtete janë sekuestruar mbi 6 tonë lëndë narkotike të tipit marijuanë, kokainë e hashash, me vlerë mbi 55 milionë euro, për një sasi totale prej rreth 14 milionë dozash që dalin nga shpërndarja me pakicë.

Janë sekuestruar 12 pasuri të paluajtshme si apartamente, troje, restorante, 4 shoqëri tregtare dhe disa automjete, te cilat arrijnë në vlerën e disa miliona euro.

Në vendin tonë sipas drejtorit të Policisë së Shtetit janë sekuestruar edhe 2 dy armë zjarri dhe 60 mijë euro. 

Eunews.al



Comments are closed.